Gazetari Ilir Demaliaj është përplasur me avokatin mbrojtës të protestuesve të Rrjollit.
Gjatë diskutimit, Demaliaj kërkoi sqarime nga avokati mbi bazën ligjore të pretendimeve për pronësinë e tokave në zonën e Rrjollit.
Sipas avokatit, ata mbështeten në ligjin 7501.
Ilir Demaliaj: Unë e kuptoj që ju jeni avokat dhe duhet të mbroni palën tuaj, por për të kuptuar të vërtetën duhet të dëgjojmë të dyja palët. Çfarë po ndodh?
Avokati: Siç ka ndodhur gjithmonë, po t’i referohemi ligjit 7501 ai i ngatërroi të gjitha. Në ato zona ka qenë gjithmonë, ngjitur me rënën e hedhun është edhe zona moçalishte që i hyn deti dhe e mban me ujë. Edhe pse është me ujë, ligji 7051 asaj zone i ka dhënë metra katrorë për frymë në tokën e vet.
Ilir Demaliaj: Nëse është toka e vet, ata nuk kanë të drejtë ta marrin me ligjin 7051. Ju jeni avokat, por ligji 7051 është ligji më kriminal që i ka ndodhur Shqipërisë. Ju po thoni që ato toka ja ka dhënë ligji 7051. Nuk ka të drejtë, pikërisht aty nis katraura që fatkeqsisht e kanë aprovuar të dyja partitë. A është apo nuk është pronë e tyre me kadastër, kjo është çështja? Po me ligj 7051 këtu janë grabitur me prona private, prona publike dhe është padrejtësia më e madhe që është bërë në këtë vend dhe do ketë rrjedhje gjaku për një kohë të gjatë.
Avokati: Atëherë, të të sqaroj ligjin 7051 çfarë kuptimi kishte dhe ligji i agjencisë së trajtimit të pronave. Çdo qytetar që pretendonte për pronat e vjetra të tyre, kishte për detyrë t’i paraqeste në këtë agjenci. Ata i thanë që vetëm kësaj, një kusht, sa metra katror ke marrë me ligjin 7051 dhe s’ka rëndësi se ku.
Protestuesit e Rrjollit u mblodhën sot para godinës së SPAK ku kërkuan nga prokurorët t’i kthejnë tokën ku thanë se është prej të parëve.
Ndërkohë u shënua edhe një incident ku policia procedoi disa protestues të cilët goditën me sende të forta godinën.
Nga ana tjetër, Gener 2 si palë e tretë në këtë debat që ka marrë përsipër zhvillimin e projektit, ka përsëritur që njeh vetëm personat që kanë dokumente.