Këtë të mërkurë përfudnoi afati për aplikim për garën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas largimit nga detyra të Ilir Prodës. Mësohet se në total u paraqitën 14 kandidatura për postin e drejtorit të përgjithshëm. Ata janë; Pëllumb Seferi, Elidon Çela, Alfred Çepe, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku, Lorenc Panganika, Afrim Tafa, Neritan Nallbati, Idejet Faskaj, Gentian Berber, Tonin Vocaj, Skënder Hitaj, Arjanit Arapi dhe Gentjan Shehaj.
Disa nga kandidatët për drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit rezultojnë pjesë e një raporti sekret të SHISH me emrat e zyrtarëve të policisë të implikuar në kultivimin dhe trafikimin e drogës. Raporti i zi i SHISH i dhjetë viteve më parë është ndarë fillimisht me Prokurorinë, kryeministrin, Presidentin dhe deputetë anëtarë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Raporti shqetësues, që kompromentonte rëndë një pjesë të Policisë së Shtetit si garantore e kultivimit dhe trafikimit të drogës, rrodhi edhe në media.
Referuar këtij rapori me evidenca konkrete, opozita bëri disa denoncime publike, duke akuzuar me emëra konkretë drejtuesit e policisë të sekduar si të implikuar në aktivitet kriminal. Disa nga 79 emrat e përmendur në atë raport janë përjashtuar nga Policia e Shtetit dhe janë dënuar për implikim në trafikun e drogës.
Disa të tjerë vijojnë të jenë pjesë e Policisë së Shtetit, ndonëse dyshohet se janë nën hetim nga SPAK dhe që mund të arrestohen pasi dalin në komunikimet e Skye Ecc të lidhur me krimin e organizuar. Komision i Posaçëm për verifikimin e kandidatëve ka për detyrë të verifikojë informacinet zyrtare për pastërtinë e figurës të secilit kandidat nëse rezulton në raportet e SHISH, nëse ka përdorur platformën Skye Ecc, nëse është nën hetim nga SPAK etj.
Shqipërisë nuk i duhet një skandal tjetër duke zgjedhur një drejtor policie që është i skeduar nga SHISH dhe ndërkombëtarët për lidhje me krimin e organizuar apo një drejtues që mund të arrestohet në vijim nga SPAK për ekspozim në aplikacionin Skye Ecc për lidhje me krimin e organizuar.
Sa i takon procedurës, pas përfundimit të afatit të aplikimeve, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve. Brenda 10 ditëve, një Komision i Posaçëm i përbërë nga 3 persona, me kryetar një zëvendësministër i Brendshëm, dhe 2 anëtarët, sekretari i përgjithshëm i këtij dikasteri dhe kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, kryen vlerësim paraprak për verifikimin e kushteve ligjore.
Në fund të procesit hartohet lista përfundimtare e kandidatëve që plotësojnë kushtet. Më tej vijon faza e intervistimit, ku shpaloset platforma e secilit me nga 20 minuta në dispozicion. Pas përfundimit, ky komision ka afat 48 orë për të nxjerrë rezultatet me pikëzimin.
Jo domosdoshmërisht i pari i renditur bëhet drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ligji thotë që njeri prej kandidatëve të pikëzuar, i konsideruar më i përshtatshëm për detyrën, i propozohet nga ministri i Brendshëm, Këshillit të Ministrave për emërimin e tij.