Partia Socialiste me në krye Edi Ramën duket se nuk do të ndalet. Socialistët vendosën dje një vijë të kuqe për SPAK, duke rrëzuar kërkesën për heqjen e imunitetit për ish zv kryeministren Belinda Balluku. Pas rrëzimit të iniciativës së SPAK për të arrestuar zonjën Balluku, socialistët po përgatiten në prapaskenë për një reformë të re në drejtësi, përmes të cilës synohet goditja dhe izolimi i SPAK-ut, një stukturë e cila tashmë konsiderohet si rrezik për pushtetin politik në Shqipëri dhe që ka dalë jashtë kontrollit.
Teksa kërkesa e prokurorëve të SPAK për të drejtën për të kandiduar për një mandat të dytë tashmë nuk është më as në planet e largëta të Edi Ramës, socialistët po përgatisin një paketë ligjore, me ndryshime në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, përmes të cilave do të kufizohen kompetencat e SPAK dhe rrjedhimisht pushteti i kësaj strukture, e cila ç’është e vërteta është kthyer në makth për figurat e krimit të organizuar dhe politikanët e korruptuar, por që nga ana tjetër në shumë raste ka kaluar në abuzim, standarde të dyfishta dhe represion.
Në krye të operacionit për eklipsimin e SPAK-ut është Fatmir Xhafaj, i cili po asistohet edhe nga figura të tjera të Partisë Socialiste, disa nga të cilat kanë dosje në SPAK apo që mund të jenë subjekte të veprimit të SPAK-ut. Deri kur SPAK goditi Erion Veliajn, Edi Rama ka qenë kolona kryesore mbështetëse e SPAK-ut. Mënyra se si u godit Erion Veliaj, përfshirë qëndrimet jo profesionale të Olsa Dados dhe Altin Dumanit ndaj tij, solli edhe krisjen e parë mes Edi Ramës dhe SPAK-ut.
Edhe pse ekziston një perceptim se godtija ndaj Veliaj mund të ishte produkt i një intrige të përbashkët mes SPAK dhe Ramës, fakti që më pas SPAK iu afrua Belinda Ballukut, e lëkundi këtë perceptim, duke përforcuar bindjen se SPAK vepron jashtë ndikimit të Edi Ramës dhe madje tashmë është kthyer në një kërcënim për pushtetin e tij. Tashmë është tejet e vështirë më të besohet se kritikat e forta deri në sulme të Edi Ramës ndaj SPAK janë pjesë e një lojë dhe teatri për të maskuar varësinë e pretenduar të SPAK nga Rama.
Nga ana tjetër, kryetari i opozitës Sali Berisha, i pandehur i SPAK-ut bashkë me dhëndrin, e ka përfshirë në programin elektoral shkrirjen e SPAK-ut, duke e quajtur organizatë kriminale. Në një kohë kur bashkë me të birin ka edhe dy llogari të hapura me SPAK për 21 Janarin dhe Gërdecin, ka pak gjasa që Berisha të bëhet pengesë e synimeve të shumicës në pushtet për të dobësuar SPAK-un me ndryshime ligjore.
Megjithatë, SPAK ka në krah besueshmërinë që sipas sondazheve gëzon në publik dhe faktorin ndërkombëtar. Por, shumica në pushtet, përmes fushatës së kritikave po tenton t’a lëkundë këtë besueshmëri të publikur ndaj SPAK-ut. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të fokusuara tek lufta me Iranin dhe pasojat ekonomike të luftës, moment i cili mund të shfrytëzohet nga mazhoranca për të ‘larë hesapet’ me SPAK, strukturë e cila me goditjen e Ballukut, duket se preku degën ku qëndronte vetë!