Debate mes mazhorancës dhe opozitës u shënuan edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ku u diskutua për sezonin turistik dhe ndikimin që situata politike mund të ketë në imazhin e vendit.
Gjatë fjalës së tij, deputeti i Partisë Socialiste, Arkend Balla, solli në vëmendje shqetësimet e përfaqësuesve të shoqatave dhe agjencive turistike, me të cilët është takuar gjatë ditëve të fundit.
Sipas tij, aktet e dhunës gjatë protestave ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e turistëve të huaj dhe në imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.
“Gjatë këtyre ditëve kam takuar përfaqësues të shoqatave dhe agjencive turistike, të cilët shprehin një shqetësim real për aktet e dhunës gjatë protestave. Këto situata ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin e Shqipërisë dhe në perceptimin e turistëve që zgjedhin të vizitojnë vendin tonë”, u shpreh Balla.
Deputeti socialist theksoi se turizmi është një pasuri kombëtare dhe nuk duhet të kthehet në çështje për përplasje politike.
“Është në interes të të gjithëve që Shqipëria të ketë një sezon sa më të mbarë. Turizmi nuk ka as të majtë dhe as të djathtë”, tha ai.
Në përfundim, Balla bëri thirrje për përgjegjësi politike dhe distancim nga çdo akt dhune, që sipas tij dëmton imazhin e vendit dhe punën e mijëra njerëzve që jetojnë nga turizmi.