Macron ultimatum Iranit: Ndalni menjëherë sulmet dhe hapni Ngushticën e Hormuzit!

Botë

Publikuar: 08/03/2026

Macron ultimatum Iranit: Ndalni menjëherë sulmet dhe hapni Ngushticën e Hormuzit!


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka bërë thirrje Iranit që të ndalë menjëherë sulmet në Lindjen e Mesme dhe të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik për tregtinë globale të energjisë.

Kjo kërkesë u bë gjatë një bisede telefonike që Macron zhvilloi me presidentin iranian Masoud Pezeshkian. Pas bisedës, kreu i shtetit francez reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, ku theksoi nevojën për uljen e tensioneve në rajon.

“I kërkova Iranit të ndalë menjëherë sulmet në Lindjen e Mesme dhe të garantojë lirinë dhe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, shkroi Macron.

Presidenti francez nënvizoi se kjo rrugë detare është jetike për ekonominë botërore dhe se çdo pengesë në të mund të ketë pasoja të mëdha për tregtinë ndërkombëtare të energjisë.

Në të njëjtën kohë, Macron ngriti edhe çështjen e dy shtetasve francezë që ndodhen në Iran, duke theksuar se siguria dhe rikthimi i tyre në Francë mbetet një prioritet për Parisin.

“Siguria dhe riatdhesimi i Cécile Kohler dhe Jacques Paris është një prioritet absolut për Francën”, u shpreh ai.

Macron shprehu gjithashtu shqetësimin e Francës për programin bërthamor dhe raketor të Iranit, si dhe për aktivitetet që sipas tij kontribuojnë në destabilizimin e rajonit.

Sipas presidentit francez, gjatë bisedës të dy liderët ranë dakord të ruajnë kontakte të vazhdueshme për të ndjekur zhvillimet dhe për të diskutuar situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme.