Pastrim parash e mashtrim / Pse po zvarritet arrestimi i çiftit Adnand dhe Albana Mahmuti? Çfarë ka zbuluar hetimi 2-vjeçar i Prokurorisë për grupin kriminal?

Kryesore

Publikuar: 06/03/2026

Pastrim parash e mashtrim / Pse po zvarritet arrestimi i çiftit Adnand dhe Albana Mahmuti? Çfarë ka zbuluar hetimi 2-vjeçar i Prokurorisë për grupin kriminal?

Dy vite më parë, Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorisë, vendosi sekuestrimin e kompanive Tibo, Tibo.al dhe Magoware, shoqëri të cilat nga hetimi rezultuan se ishin përdorur në një skemë mashtrimi me pasoja të rënda, me vlerë mbi 2 milionë euro, me protagonist biznesmenin Adnand Mahmuti.

“Shtetasi Adnand Mahmutaj po hetohet për veprën penale “Mashtrimit me pasoja të rënda”, te parashikuar nga Neni 143/3 i Kodit Penal. Kjo për faktin se ky shtetas është kredituar nga shtetësja M. H. dhe me pas ka tjetërsuar kuotat e kompanive garantore. Me pas, nëpërmjet veprimeve të tij, duke i ri-blerë kuotat e dhuruara më parë, ka rënduar pozitën financiare të Tibo Comunication, konkretisht njëra nga kompanitë garantore në kontratën me shetasen M. H., Tibo Comunication si dhe kompanitë e lidhura me të, referuar të dhënave te kapitali, krijohet bindja se kanë aftësi paguese, për shlyerjen e detyrimit”, thuhet në vendimin e gjykatës. 

Para veprimit të drejtësisë, kompania Tibo me pronar dominues Adnand Mahmuti ishte denoncuar për pirateri, ku pa pasur asnjë të drejtë shpërndarjeje, përmes platformës së saj IPTV, transmetonte Top Channel dhe TV Klan në të gjithë botën. Gjithashtu, Adnand Mahmuti, përmes operatorit të piraterisë TIBO u shiste shqiptarëve sikur të kishte të vetën edhe kampionatet, La Liga, Premier Ligue, Bundes Liga dhe Copa Italia. 

Pas një gjobe paralajmëruese, në dhjetor 2023 AMA i hoqi licencen platformës televizive TIBO të Mahmutit për vjedhje të përsëritur të programeve televizive. Megjithatë, kompania TIBO ka vijuar aktivitetin e saj ekonomik edhe pas heqjes së licencës, me qëllim fitimi, përmes disa këpurdhave derivate.

Vijimin e aktivitetit pa licencë e konfirmon edhe operacioni policor në janar të 2024, ku u prangos Adnand Mahmuti për shitje dekoderash në të zezë, pirateri dhe tregtim të materialeve të vjedhura, ndërsa u godit grupi i tij prej 9 vetash.

Tregtonin aparatura dekoder që transmetojnë kanaleve televizive vendase dhe të huaja, për të cilët kërkohet pagesë specifike nga platforma të licensuara zyrtare, vihen në pranga 3 shtetas. Procedohen penalisht 7 të tjerë, dhe shpallet në kërkim një tjetër. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 200 aparatura dekoder…”, thuhej në njoftimin e policisë. 

Mahmuti arriti të dilte nga burgu në rrethana që duhet të jenë objekt i SPAK-ut. Po ashtu, nga burgu dolën edhe Fatjon Luniku, administrator i ArfaNet, derivat i Tibo si dhe Elona Bogdani menaxhere e dyqaneve të piraterisë Tibo dhe pikave të shitjes dhe pikat e shitjes “Easy Pay”. I njëjti grup, pasuruar me anëtarë të rinj, zhvillon aktualisht të njëjtën veprimtari ekonomike të paligjshme. 

Po çfarë ka zbuluar hetimi dyvjeçar i Prokurorisë së Tiranës që nga koha vendimit të sekuestros? 

Prapaskena mëson se hetimet e Prokurorisë së Tiranës, pavarësisht ndërhyrjeve dhe sabotimeve nga pirati Adnand Mahmuti, kanë konstatuar konsumimin e veprave të tjera penale si; pastrim parash, evazion fiskal, fshehje të të ardhurave, episode të tjera mashtrimi përpos shtetases M. H, veprime që pengojnë drejtësinë, fajde, kontrata fiktive, falsifikim dokumentesh në disa raste, aktivitet pa licenë etj.

Përmes piraterisë, mashtrimit dhe një skeme të dyshuar korruptive me Fidel Yllin, Adnand Mahmuti ka përfituar miliona euro, duke i investuar në pasuri të paluajtshme dhe ngritur biznese, në emrin e familjarëve dhe të afërmve të besuar.

Pasuritë e paluajtshme përfshijnë vila pa leje në periferi të Tiranës, klinika botoksi pa licencë, apartamente, troje, ambiente tregate, lokale, dyqane, zyra, call centera etj., që të gjitha produkt i aktivitetit të dyshuar kriminal si pirateri, para me fajde, mashtrim me pasoja të rënda dhe transaksione të paligjshme me një grup të dyshimtë, përfshirë edhe turqit Fahrettin Yigit Arman, babë e bir, me aktivitet të dyshimtë në Shqipëri nga restorantet tek mbetjet.

Për të kamufluar dhe pamundësuar bllokimin e pasurive, Adnand Mahmuti ka bërë ndarje fiktive me bashkëshorten Albana Karadaku (Mahmuti), duke kaluar pasuri dhe llogari bankare në emrin e saj dhe fëmijëve. Zyra e noterisë së Albana Karadakut është një provë e frikshme krimi, me noterizime false, kontrata fiktive, mashtrime etj.

Nuk është rastësi që dhjetëra kontrata pasurie që mbajnë vulën e zonjës Karadaku me ish pushtetarë dhe figura të krimit të organizuar janë pjesë e disa dosjeve të SPAK-ut. Aktiviteti i noteres Karadaku kompromenton rëndë edhe Ministrinë e Drejtësisë, e cila duhet të kishte marrë masa për heqje licence. 

Vjehrra e Adnand Mahmuti N.K, dhëndri J.K, krushqia dhe personazhe të tjerë janë zbuluar nga hetimet e prokurorisë si pjesë të rrethit familjar, me të cilin biznesmeni ka kamulfuar pasuritë dhe qarkullon paratë e dyshimta. 

Është identifikuar një kartel kompanish, përmes të cilave pirati i programeve televizive ushtron aktivitetin e dyshuar kriminal dhe qarkullonin paratë; Tibo Comunication, Magoware, BIg FM shpk, Tibo, Tibo-Al, 88 INTERNATIONAL, TIBO’N, Tibo Media, PortoPalermo Estate, ArfaNet, CLOUD KITCHEN, Black Monkey, Over Sport shpk etj.

Pas vendimit të dekuestros dhe gjatë hetimeve të Prokurorisë, pirati Adnand Mahmuti, me qëllim për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë, ka arritur të tjetërsojë dhe kamuflojë aksionet e disa kompanive me shit-blerje fiktive, duke korruptuar zyrtarë të Qendrës Kombëtare të Biznesit, ndërsa si gjithnjë janë implikuar edhe zyra noterie. 

457 milionë lekë nga Fidel Ylli 

Kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Fidel Ylli dhe Adnand Mahmuti i TIBO-s dyshohet se janë përfshirë në një aferë korruptive 467 milionë euro. Në mars 2023, kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli ka lidhur një kontratë me kompaninë TIBO për transmetimin e ndeshjeve të ndryshme nëpër shkolla për kategorinë amatore.

Ka disa arsye dhe rrethana se pse SPAK duhet të administrojë këtë kontratë. Fidel Ylli dhe Mahmuti njihen dhe kanë një raport të afërt, ku ‘tenderi’ është një qokë mes miqsh. Fituesi është paracaktuar. Nuk ka pasur as garë formale dhe as reale. Fakti më flagrant penal është se Tibo ka nisur transmetimin e ndeshjeve që në 2022, ndërsa kontrata është lidhur në 2023.

Rrjeti pirat TIBO dhe filiali i tij OverSport janë platforma anonime, pa asnjë impakt dhe të njohura vetëm për aktivitet kriminal. Ka dyshime të forta që dy shokët kanë përvetësuar dhe ndarë me njëri-tjetrin paratë publike, duke i investuar në pasuri të paluajtshme. 

Si për ironi, kompania pirate Tibo ka transaksione financiare me Drejtorinë e Policisë për shërbime telefonike, ku nga ana tjetër kompania ka qenë subjekt hetimi nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Sektorin per Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit. Rreth 20 transakione rezultojnë mes kompanisë Tibo Comunication dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për shërbime telefonike. Mahmuti ka marrë para publike edhe përmes kompanisë Tibo Media.

Ushtrimi i aktivitetit tek qendra e krimit (Deliorgji)

Vendi i ushtrimit të aktivitetit nga karteli i piraterisë nuk është i rastësishëm. Disa adresa të kompanive dhe pasurive figurojnë në Kompleksin Deliorgji, të çiftit Mihal dhe Vjollca Deliorgji, një nga hinkat kryesore në Tiranë të mbledhjes dhe pastrimit të parave me burim trafikun e kokainës, mashtrimin me call centra, evazionin fiskal, aferat korruptive dhe shumë punëve të tjera të paligjshme.

Disa nga operacionet e SPAK për goditjen e krimit të organizuar përmes pasurisë jo rastësisht kanë përfshirë edhe Kompleksin e Deliorgjit, një miksim mes krimit dhe korrupsionit. Kompanitë me të cilat kamuflohet kompleksi i krimit dhe luksit janë të regjistruara në Ishujt Marshall dhe Liberi, aty ku askush nuk mund t’u përgjigjet letërporosive të SPAK-ut.

A po shlyen gjyqtarja Fatime Deçolli paratë që pagoi për të kaluar Vetingun me lekët e Mahmutit? 

Adnan Mahmuti, për shkak të aktivitetit kriminal, ka të hapura jo vetëm procese penale, por edhe civile. Disa nga këto çështje civile ka dyshime se i menaxhon me ndikime të paligjshme dhe skema korruptive. Gjyqtarja Fatime Deçolli po shqyrton një nga çështjet e viktimave të mashtrimit me pasoja të rënda të Mahmutajt.

Sipas një sinjalizimi, gjyqtarja Deçolli, jo vetëm nuk procedon me finalizim vendimi të diktuar nga e drejta, por zvarrit procesin gjyqësor nën ndikim të paligjshëm nga mashtruesi serial. Jo vetëm kaq. Por, pala e mashtrimit dyshohet se po korrupton gjyqtaren Deçolli me qëllim pezullim e procesit gjyqësor, në dëm të viktimës së skemës së mashtrimit. 

Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, bazuar në informacionet e Shërbimit Informativ Shtetëror ka referuar një raport në Komisionin e Vetingut për gjyqtaren Fatime Deçolli. Sipas këtij raporti, gjyqtarja ishte përfshirë afera korruptive.

Hetimi pasuror konstatoi se Deçolli nuk justifikonte plotësisht pasurinë me të ardhura të ligjshme. Sa i takoi anës profesionale, Komisioni i Vetingut konstatoi se shumë vendime të gjyqtares Fatime Deçolli ishin rrëzuar nga Gjykata e Apelit si të paligjshme. 

Megjithatë, në 5 qershor 2024, KPK-ja e konfirmoi në detyrë gjyqtaren Deçolli. Janë vendimet e fundit të shkallës së parë të Vetingut kohë kur KPK-ja ishte kthyer në KÇK.