Protestuesit e opozitës kanë hedhur një numër të madh molotovësh te vila e ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila është shndërruar në një qendër arti që pret artistë vendas e ndërkombëtarë.
Pas restaurimit, ajo është hapur për publikun. Gjatë sulmit me molotov ka pasur njerëz brenda vilës. Raportohet se ata janë larguar nga kati i parë i objektit drejt zonave të të sigurta në vilë.
Gazetari Mero Baze shkruan se brenda kësaj vile ka qëndruar Sali Berisha si servil i Familjes së Enver Hoxhës. “I vetmi njeri që ka qenë brenda vilës së Enver Hoxhës ka qenë Sali Berisha si servil zvarranik pas fëmijëve të diktatorit. Tani me këto molotovët i fshiu provat e krimit“, shkruan Baze.
Ndërkaq, gazetari Adriatik Doçi ka publikuar edhe një foto të Sali Berishës brenda Vilës së Enverit. “Mercenarë të paguar nga Partia Demokratike me në krye Berishën i kanë vënë flakën sonte Vilës së Enver Hoxhës, në të cilën ka hyrë dhe dalë shpesherë shpërndarësi i flakëve Sali Berisha, madje ka qëndruar edhe pranë oxhakut me Nexhmije Hoxhën dhe fëmijët e ish diktatorit. Flakët e sotme mund të kenë përcëlluar ndonjë turist, por kurrsesi këtë fotografi dhe kujtime të tjera ankthioze të Sali Berishës brenda Vilës së Enverit“, shkruan Doçi.
