Një shumë prej 1 milion eurosh është sekuestruar më 24 shkurt 2026 në pikën kufitare të Merdarës, pas një kontrolli të ushtruar nga Dogana e Kosovës dhe policia kufitare.
Sipas dosjes së Prokurorisë, paratë ishin të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni të tipit “Sprinter” me targa shqiptare. Mjetin e drejtonte Edmir Ahmagjokaj, ndërsa pasagjerë ishin Aurel Kaziu dhe Ardit Laska.
Nga skanimi me pajisje me rreze X u evidentuan dyshime për mjete monetare të fshehura. Gjatë kontrollit fizik u gjetën 18 pako me bankënota prej 10, 20, 50, 100 dhe 200 euro.
Tre të dyshuarit u ndaluan rreth orës 13:00 të datës 24.02.2026.
Të arrestuarit janë:
Aurel Kaziu, efektiv i Policisë së Shtetit në Komisariatin nr. 5 në Tiranë;
Edmir Ahmagjokaj, drejtuesi i mjetit;
Ardit Laska.
Sipas kërkesës për caktimin e masës së sigurisë, të tre po hetohen për veprën penale të “shpëlarjes së parave”. Prokurori Special ka kërkuar paraburgim prej një muaji për secilin prej tyre, duke argumentuar me rrezikun e ikjes, si dhe mundësinë e asgjësimit, fshehjes, ndryshimit apo falsifikimit të provave.
Në dokument thuhet se “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është fituar përmes aktivitetit kriminal, kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës”.
Sipas organit të akuzës, shuma prej 1 milion eurosh dyshohet se është përfituar nga aktivitet kriminal, megjithëse në këtë fazë nuk specifikohet natyra e këtij aktiviteti.
Po ashtu, në dosje theksohet se të ndaluarit, kur janë pyetur nga hetuesit doganorë në momentin e ndalimit, kanë deklaruar se nuk kishin asgjë për të deklaruar.
Çfarë deklaroi polici Aurel Kaziu?
Në deklarimin e dhënë më 24.02.2026 para hetuesve doganorë, Aurel Kaziu ka mohuar çdo dijeni mbi shumën e gjetur në furgon.
Ai ka deklaruar se më 21 shkurt 2026 ishte nisur nga Tirana drejt Gjermanisë me një furgon të kaltër, të cilin e kishte ndërruar në Kosovë me furgonin që u ndalua në Merdarë.
“Furgonin nga Kosova për në Tiranë e kishte marrë kompania. Ai tha se kishte qëndruar një natë në Dortmund dhe më pas është takuar me Edmir Ahmagjokajn në Këln, ku kishin ngrënë së bashku dhe më pas vazhduan udhëtimin për në Shqipëri. Për paratë e konfiskuara, deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni”, thuhet në dosje.
Deklarimet e dy të dyshuarve të tjerë
Edmir Ahmagjokaj ka thënë se kishte udhëtuar në Gjermani më 22 shkurt 2026 për të punuar në shpërndarje postash për klientë të ndryshëm. Ai ka deklaruar se kishte qëndruar në hotel deri rreth orës 22:00 dhe planifikonte të kthehej në Shqipëri më 25 shkurt 2026. Edhe ai ka mohuar dijeninë për paratë.
Ardit Laska, sipas dosjes, ka deklaruar se kishte shkuar për herë të parë në Gjermani për tre muaj. Ai ka pohuar se kishte kontaktuar një kompani përmes Instagramit për transport Gjermani–Shqipëri, e cila i kishte dhënë kontaktin e Aurel Kaziut dhe lokacionin e nisjes. Më 23 shkurt 2026, sipas tij, të tre ishin nisur nga Dortmundi drejt Shqipërisë.
Të tre të ndaluarit, kur janë marrë në pyetje, kanë deklaruar se me profesion janë shoferë.