Tenderi i AKSHI-t për internetin / Çfarë e bashkon ortakun e Amant Josifit (Endri Meksi) me rrëmbyesin e vajzave në Itali Sadrit Danaj? A do tërhiqet Igli Tafa nga afera 3.5 milionë euro?

Investigim

Publikuar: 23/02/2026

Tenderi i AKSHI-t për internetin / Çfarë e bashkon ortakun e Amant Josifit (Endri Meksi) me rrëmbyesin e vajzave në Itali Sadrit Danaj? A do tërhiqet Igli Tafa nga afera 3.5 milionë euro?

Çuni i kompetentit të Piramidave, Endri Meksi, ish ortaku i Amant Josifit në skemat e mashtrimit me pasoja të rënda përmes call centrave, pjesë dosjes ‘Balluku’, si dhe Sadrit Danaj, i skeduar nga Antimafia italiane për rrëmbim vajzash dhe trafik kokaine, janë bashkuar për të marrë tenderin 3.5 milionë euro të internetit të AKSHI-t, që po hetohet nga SPAK si organizatë kriminale.

(Sadrit Danaj dhe Endri Meksi)

Tenderi për dy përfaqësuesit e pastrimit të parave, mashtrimit dhe krimit është firmosur nga ish drejtoresha e komanduar e AKSHI-t, Romina Kostani, e cila tashmë është zëvëndësuar nga një tjetër ‘usta tenderash’, Igli Tafa. Ende pa u tharë boja e delegimit, ish mëkëmbësja e Mirlinda Kaçanajt, Romina Kostani, duke sfiduar SPAK, nisi të firmosë tendera për kompanitë e njerëzve të krimit dhe pastrimit të parave, pa plotësuar kriteret dhe në shkelje të ligjit, i cili ndalon pjesëmarrjen në tendera të subjekteve të ligjit anti-mafia.

Me pazar në tavolinë, me dokumente të dyshuara false dhe duke manipuluar procedurat tenderuese, Romina Kostani u ka dhënë tenderin e internetit të AKSHI-t, Sadrit Danajt dhe Endri Meksit, ndonëse kompanitë e tyre nuk kanë kapacitete, ifrastrukturë dhe shtrirje për të ofruar shërbimin e internetit për institucionet publike të parashikuar në dokukentet e tenderit.

Bëhet fjalë për kompanitë Mc Networking shpk dhe Nisalet shpk, të cilat janë shpallur fituese nga AKSHI të tenderit 3.5 milionë euro për shërbimin e internetit të AKSHI-t. Pas kompanisë Mc Networking qëndron Endri Meksi, i cili ka marrë edhe 33 milionë euro tendera korruptivë nga ARRSH-ja si dhe koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit kamufluar në emrin e mamit Dhurata Meksi.

Pronari i kompanisë tjetër përfituese Nisalet shpk është një figurë e hershme e krimit të organizuar shqiptar në Itali, Sadrit Danaj, i akuzuar për rrëmbimin e vajzës së një biznesmeni italian në vitet 2000 me qëllim shtrëngimi për gjobëvënie si dhe i skeduar për trafik kokaine. Danaj ka qenë pjesë e LSI-së së Ilir Metës dhe me propozim të tij u emëruar kryetar i Këshillit të Qarkut të Vlorës.

Sadrit Danaj është subjekt i zbatimit të ligjit anti-mafia edhe për shkak se është vëllai i Nexhmedin Danajt, të cilit SPAK-u i ka sekustruar pasuritë pasi është goditur nga Europol si kreu i grupi kriminal në Spanjë, i cili ka pastruar 65 milionë euro produkt i trafikut të kokainës.

(Sadrit Danaj dhe Endri Meksi)

Endri Meksi ka mbi dy vjet që sulmon AKSHI-n përmes mediave të tij gjobëvënëse me qëllim për të hapur rrugën e përfitimit të tenderave korruptivë. Që kur grupi kriminal i goditur nga SPAK mori nën kontroll AKSHI-n, Meksi me kartelin e tij të kompanive doli jashtë loje. Duke u bashkuar me Sadrit Danajn, Endri Meksi, ortaku i Amant Josifit në aktivitetin kriminal të mashtrimit me pasoja të rënda, duket se ka mundur të ushtrojë ndikim të paligjshëm, duke korruptuar ish titullaren e AKSHI-t, Romina Kostani dhe dy anëtarë të KVO-së pranë AKSHI-t, duke marrë me pazar në tavolinë tenderin 3.5 milionë euro.

(Romina Kostani)

Zonja Kostani dhe anëtarët e KVO-ve janë nën hetim nga SPAK për korrupsion me tenderat e AKSHI-t. Ka dyshime të forta se Kostani dhe anëtarët e KVO-së kanë marrë mbi 1 milionë euro për tenderin e internetit. Mbetet për t’u parë nëse edhe kjo aferë korruptive do të hetohet nga SPAK në kuadër të çmontimit të grupit kriminal të zhvatjes me tendera.