Do përkrahë Vjosa Osmanin? Albin Kurti: Nuk kemi asnjë kandidat, por do arrijmë konsensusin!

Rajon

Publikuar: 23/02/2026

Do përkrahë Vjosa Osmanin? Albin Kurti: Nuk kemi asnjë kandidat, por do arrijmë konsensusin!

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se procesi për zgjedhjen e presidentit nuk paraqitet i thjeshtë, por paralajmëroi intensifikim të bisedimeve me partitë e tjera parlamentare për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se partitë politike ndajnë qëndrimin se vendi nuk duhet të shkojë sërish në zgjedhje, pas katër proceseve zgjedhore që u mbajtën në periudhën e fundit, lokale dhe parlamentare. Ai theksoi se do të angazhohen që moszgjedhja e presidentit të mos prodhojë një tjetër cikël zgjedhor gjatë gjysmës së parë të vitit.

Kurti sqaroi se aktualisht as Lëvizja Vetëvendosje, as LDK dhe as PDK nuk kanë propozuar kandidat për president. I pyetur për mundësinë e mbështetjes së Vjosa Osmanit për një mandat të ri, ai theksoi se LVV nuk ka mbledhur nënshkrime për asnjë emër.

Sipas tij, edhe në skenarin maksimal, shumica parlamentare mund të arrijë vetëm 66 vota, ndërkohë që në dy raundet e para kërkohen 80 vota për zgjedhjen e presidentit.

“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askëmd për shkak se edhe në rast se i mbledhim nënshkrimet, po e theksoj, ne në rastin më të mirë teorik mund të mbërrijmë te numri 66 që është aq larg numrit 80. Prandaj, kot ne mund të nxjerrim kandidat, ndërkohë që dy subjektetet tjera thanë se nuk i kemi as 30 për nënshkrime sepse 30 është minimumi për propozimi”, tha Kurti.

Ai shtoi se edhe dy partitë e tjera të mëdha kanë deklaruar se nuk disponojnë 30 vota për të siguruar nënshkrimet minimale për propozim.

Procesi mbetet i hapur, ndërsa partitë pritet të vijojnë konsultimet për të arritur shumicën e nevojshme kushtetuese.