Belinda Balluku nuk do arrestohet, Rama rrëzon SPAK-un: Pezullimi është i mjaftueshëm

Aktualitet

Publikuar: 23/02/2026

Belinda Balluku nuk do arrestohet, Rama rrëzon SPAK-un: Pezullimi është i mjaftueshëm

Nga Esiona Konomi (Shqiptarja.com)

Në një mbledhje që zgjati 5 orë, Këshilli i Imunitetit shqyrtoi kërkesën e PAJ për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, pozita e së cilës, siç thanë prokurorët e posaçëm, është rënduar dhe rrezikon deri në 35 vite burg. PS dhe PD do të dalin me dy raporte, që pritet të hidhen në votim seancën e 5 marsit. Socialistët duket se nuk do ta lejojnë arrestimin e Ballukut.

Belinda Balluku nuk ishte e pranishme në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku pas dy muajsh u shqyrtua kërkesa e SPAK për arrestimin e saj. Balluku dërgoi në mbledhje dy avokatët e saj, të motrën Pamela Qirko dhe Ardian Kalijan, ndërsa SPAK u përfaqësua nga drejtuesi Klodian Braho dhe dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Mbledhja që zgjati 6 orë, u zhvillua me dyer të mbyllura pas kërkesës së SPAK se materialet përbëjnë sekret hetimor. Kërkesë kjo që krijoi përplasje mes PD dhe PS.  

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, SPAK kërkoi autorizim për arrestimin e Ballukut me argumentin se në duar kanë prova të reja. “Gjendja e saj procedurale është rënduar, ka rrezik të prishë prova dhe të kryejë krime të tjera”, tha SPAK në mbledhje, duke shtuar se zv.kryeministrja rrezikon deri në 35 vite burg. E konfirmuar kjo nga vetë kreu i SPAK, Klodian Braho, i cili deklaroi se kur u kërkua masa e parë për Ballukun, ajo e pezullimit nga detyra, zv.kryeministrja rrezikonte deri në 10 vite burg, por aktualisht pozita i është rënduar dhe të njëjtën vepër e ka kryer 9 herë.

“Në situatën kur është kërkuar masa e parë ndaj  znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Të njëjtën vepër e ka kryer 9 herë. Secila vepër dënohet me 4 vite. Me bashkim dënimesh ky është marzhi i veprës”, ka deklaruar kreu i SPAK.

Prokurorët e Posaçëm thanë se Belinda Balluku ka intimiduar dëshmitar përmes dy formave. SPAK tha se vetë Balluku, më 20 nëntor 2025, ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë ose në të kundërt do t’u rrezikohej vendi i punës në administratë.

Jo vetëm kaq, por sipas SPAK, persona të ‘fortë’ kanë kërcënuar dëshmitarët dhe të pandehur në emër të Ballukut. Dhe kjo, tha organi i akuzës, është e vërtetuar me transkripte të bisedave, të cilat ndodhen në 16 mijë faqet që prokuroria ka dorëzuar në Kuvend, dhe ndërkohë po hetohet nëse këta persona kanë lidhje me botën e krimit.

Avokatët e Ballukut kërkuan rrëzimin e kërkesës së SPAK, duke argumentuar se Balluku ka zbatuar masën e pezullimit nga detyra dhe dorëzoi çdo dokument personal, referuar këtu masës për bllokimin e pasaportës. Avokatët kërkuan nga SPAK, që në kushtet kur duan zëvendësimin e masës së sigurisë, të provojnë pretendimet për prishjen e provave dhe rrezikun që Balluku të largohet nga vendi. 

“Prokuroria ka detyrimin që të provojë kushtet që Belinda Balluku po tenton të largohet nga vendi në një kohë kur kërkon zëvendësimin. Ajo ka zbatuar masën dhe nuk është paraqitur në detyrë. Zonja ka dorëzuar menjëherë çdo dokument personal. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës”, tha avokati i Ballukut, Ardian Kalija.

Pyetjes së Gazment Bardhit “nëse kërkesa për arrestimin e Ballukut është e bazuar në motive politike”, SPAK iu përgjigj se gjithçka bazohet vetëm në provë. Kjo pikë e diskutimit shërbeu që edhe mbrojtja e Ballukut të pranojë se “nuk kanë indicie për asnjë motiv politik”, referuar kërkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres.

5 orë diskutime nuk i mjaftuan PS dhe PD që të dilnim me një raport. Palët do hartojnë 2 raporte të ndara, të cilat i kalojnë Kuvendit për votim seancën e 5 marsit. Socialistët pritet që të mos e ngrenë kartonin jeshil për të aprovuar arrestimin e Ballukut, pasi sipas tyre masa e pezullimit nga detyra për Ballukun është e mjaftueshme.

“Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, në përfundim të këtij procesi, sapo kolegu Ulsi Manja të ketë hartuar raportin në emër të pesëshes sonë. Masa e pezullimit besoj se është e mjaftueshme”, tha Taulant Balla.

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi socialistët se janë kthyer në mburojë të Ballukut, ndërsa i dha ‘zë’ argumenteve të SPAK se Balluku intimidoi dëshmitarët.

“Asnjë surprizë, Rama kishte urdhëruar 5 anëtarët e tij që të bëheshin mburojë politike për të korruptuarën Balluku”, tha Bardhi.

Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe.

Mbledhja e Këshillit të Mandateve erdhi pasi Kushtetuesja nuk arriti shumicën për rastin Balluku dhe u nda 4-4 duke rrëzuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama dhe lënë në fuqi masën e pezullimit. Pasi Kuvendi të shprehet për kërkesën e SPAK, socialsitët do të vijojnë me ndryshimet ligjore në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, përmes së cilave synohet që gjykatat të mos pezullojnë dot edhe Presidentin, kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Avokatin e Popullit dhe Kreun e KLSH.