Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka shpallur fituese kompaninë “Ed Konstruksion” sh.p.k. për një tender 3.4 milionë euro në Sarandë.
Kompania dhe bashkëpunëtorë të saj rezultojnë nën hetim nga SPAK për çështjen e ujësjellësit të Memaliajt, ku sipas procedimit penal janë konstatuar shkelje në dhënien dhe zbatimin e kontratës.
Pavarësisht hetimeve në vijim, subjekti është shpallur fitues i një kontrate të re publike, duke ngritur pikëpyetje mbi kriteret e përzgjedhjes dhe zbatimin e standardeve të integritetit në prokurimet publike.
Shefat e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës- Kanalizimeve, i kanë dhënë një tender me vlerë 3.4 milionë Euro, kompanisë “Ed Konstruksion” sh.p.k, me pronar 90-vjeçarin Ramadan Ibrahimi.
Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 16 shkurt 2026, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, ka njoftuar për zhvillimin e tenderit me objekt: “Ndërtim i rrjetit të kanalizimve në lagjen “Baba Rexhepi” dhe lidhja e kolektorit në bulevardin e Sarandës.

Çdo ndërtues që ka licencë biznesi, ka të drejtën të kërkojë e marrë tenderë edhe sikur të jetë 100 vjeç, por pronarët e kompanisë “Ed Konstruksion” sh.p.k, janë nën hetim nga SPAK për falsifikim dokumentash e vjedhje fondesh publike, në tenderin e ujësjellësit zonal të Memaliajt, bashkë me kompaninë “KEG” sh.p.k.Vlera e tenderit ishte 5 milionë Euro, dhënë nga ish-kryebashkiaku i Memaliajt, Gjolek Guci, pa garë dhe me 99.99% të fondit limit; ndërsa pronari 90-vjeçar Ramadan Ibrahimi i kompanisë “Ed Konstruksion” sh.p.k, në shkelje të kontratës, ia dha punimet firmës që kishte bërë projektin.
Ia dha kompanisë “Artreum Generation” sh.p.k, në pronësi të Lorenc Bamit, Drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Tepelenës, në hetim për korrupsion me tenderët, lejet e ndërtimit, tokat publike dhe fondet e IPARD, bashkë me ish-kryebashkiakun Tërmet Peçi.

Në kallëzimin e KLSH më 28 tetor 2024 dhe në Procedimin Penal nr. 216, datë 4 nëntor 2024 nga SPAK, thuhet se ish-kryebashkiaku i Memaliaj, Gjolek Guci, në bashkëpunim me pronarët e kompanisë “Ed Konstruksion” sh.p.k dhe “KEG” sh.p.k, kanë paracaktuar marrjen e tenderit për ndërtimin e ujësjellësit me vlerë 5 milionë Euro.
Po sipas dosjes hetimore të SPAK, janë bërë pagesa pa nisur punimet; vlera e kontratës iu dha 30% më e lartë se kostoja reale e projektit, ndërsa ujësjellësi duhej të kishte përfunduar e vënë në funksion brenda muajit maj 2023, por deri më tani, janë kryer vetëm 20% e punimeve.
Ndërkohë që pronarët e kompanisë “Ed Konstruksion” sh.p.k janë nën hetim nga SPAK, për aferën me ujësjellësin Memaliaj e tenderë të tjerë, Agjencia e Ujësjellës- Kanalizimeve, pas penalizimit i dha edhe tenderin 3.4 milionë Euro për kanalizimet e Sarandës./Pamfleti