Si falimentuan bizneset e Erion Isufit pas largimit të kunatit Basha nga kreu i PD. Pastrim parash me Stela Dhamin përmes Colliers International?

Investigim

Publikuar: 19/02/2026

Si falimentuan bizneset e Erion Isufit pas largimit të kunatit Basha nga kreu i PD.  Pastrim parash me Stela Dhamin përmes Colliers International?

Kunati i Lulzim Bashës, Erion Isufi, qëndron pas një karteli kompanish në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të tërthortë, duke qarkulluar miliona euro. Erion Isufi, suksesi i të cilit si biznesmen përkon me shkëlqimin dhe rënien e Lulzim Bashës si politikan, qëndron pas kompanive Landmark Technologies, Landmark Communications, Landmark Premium Print, BLACKSHEEP, HR Solutions, RENO ALBANIA, NEC etj.

(Erion Isufi)

Gjatë kohës kur Lulzim Basha ishte në krye të PD-së, rreth 100 biznesmenë, të cilët përfitonin para dhe pasuri publike nga qeveria e Edi Ramës, paguanin një haraç mujor tek njëra prej kompanive të Erion Isufit. Pasi Sali Berisha shkarkoi dhe përzuri Lulzim Bashën nga PD-ja në fund të vitit 2021, biznesmemët ndërprenë pagesat për kunatin e Bashës, ndërsa nisën të paguanin tek Shkëlzen Berisha, në këmbim të mospërgojimit të tyre nga Sali Berisha.

Në vitin 2021, kur Lulzim Basha ishte në krye të PD, një nga kompanitë e kunatit të tij Erion Isufi, Landmark Communications, rezulton me rreth 70 mijë euro fitim. Në vitin 2024, kur Lulzim Basha kishte ikur si kryetar i opozitës, kompania Landmark Communications rezulton me rreth 450 mijë euro me humbje.

Drejt falimetimit rezultojnë edhe kompanitë e tjera të Erion Isufit pasi Lulzim Basha humbi drejtimin e opozitës. Në vitin 2021, kompania Landmark Technologies e Erion Isufit rezulton me 150 mijë euro fitim. Në vitin 2023, pasi Lulzim Basha ishte shkarkuar si kryetar i PD-së, kompania Landmark Technologies rezulton me 150 mijë euro humbje.

Disa kompani Erion Isufi i ka pezulluar pasi kunati i tij Lulzim Basha u largua nga drejtimi i PD duke humbur influencën mbi biznesmenët dhe oligarkët që i paguanin kunatin. Erion Isufi ka themeluar kompaninë Landmark Premium Print në vitin 2009. Kompania rezultonte me fitim deri në vitin 2021. Isufi ka vendosur pezullimin e kompanisë në vitin 2023.

Në vitin 2016, Erion Isufi ka themeluar kompaninë e reklamave BLACKSHEEP bashkë me Rezart Nita. Kompania është pezulluar në vitin 2018. Po në vitin 2018, Erion Isufi ka themeluar kompaninë e marketigut HR Solutions, të cilën e ka çrregjistruar në vitin 2023.

Erion Isufi është aksioner me 50 % të aksioneve edhe në kompaninë RENO ALBANIA, me objekt tregeti me shumicë dhe pakicë të konfeksioneve. Kompania rezulton se nuk ka dorëzuar bilance në tatime prej 10 vitesh. Isufi është aksioner edhe në kompaninë NEC shpk me objekt veprimtarie menaxhim dhe administrim të bareve, restoranteve, palestër etj. Kompania është themeluar në vitin 2021 dhe pezulluar në vitin 2025.

Megjithatë, Erion Isufi ka vijuar të blejë pasuri me vlerë miliona euro. Kunati i Bashës ka blerë me 1.5 mijë euro m2 në “Lion Residence” pranë Parkut të Liqenit, ndërkohë që vlera reale është 5 deri në 8 mijë euro m2. Isufi ka blerë 2143 m2 sipërfaqe njësi tregëtare për 4.6 milionë euro. Vlera reale është mbi 15 milionë euro. Kjo lëvizje ngre dyshime të forta për pastrim parash.

(Stela Dhami)

Kompania e shitblerjes së pasurive të paluajtshme Colliers International dyshohet se shërben si lavatriçja kryesore e Erion Isufit për qarkullimin dhe pastrimin e parave. Drejtoreshë e kompanisë Colliers International është bashkëshortja e Erion Isufit, Stela Dhami, një nga linjat kryesore të pastrimit të dyshuar të parave në pasuri të paluajtshme. Për rolin e kompanisë Colliers International në pastrimin e parave të Erion Isufit ka edhe një procedim penal në SPAK.