Shit-blerje votash në favor të PSD-së, GJKKO dënon me burg dy kushërinjtë në Kukës

Aktualitet

Publikuar: 18/02/2026

Shit-blerje votash në favor të PSD-së, GJKKO dënon me burg dy kushërinjtë në Kukës

Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin këtë të mërkurë, lidhur me rastin e dy kushërinjve nga Kukësi, të cilët akuzohen për korrupsion në zgjedhjet e 11 Majit.

Kështu, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Bib Ndreca dhe Flora Hajredinaj, i shpalli fajtorë dy kushërinjtë, K.P dhe G.P (ky i fundit ish-kryeplak i fshatit Lusen).
Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar.

K.P u dënua fillimisht me 1 vit, 7 muaj e 15 ditë burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 1 vit e 1 muaj. Gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm, pasi koha e qëndrimit në paraburgim tejkalonte masën e dënimit të caktuar.


Ndërsa G.P u dënua me 1 vit e 9 muaj burgim, dënim i cili pas uljes me një të tretën u caktua përfundimisht në 1 vit e 2 muaj heqje lirie. Ai do ta vuajë pjesën tjetër të dënimit në një burg të sigurisë së zakonshme.

Gjykata vendosi gjithashtu që 205 mijë e 500 lekë të sekuestruara, të cilat dyshohet se do të shpërndaheshin për blerje votash, të kalojnë në favor të shtetit, ndërsa 525 euro t’i kthehen K.P-së. Po ashtu, u vendos kthimi i disa aparateve celularë pronarëve përkatës.


Sjellim ndërmend se K.P u arrestua një ditë para zgjedhjeve, ku iu sekuestruan mbi 2 milionë lekë (të vjetra), 525 euro, telefoni dhe automjeti i tij. Këto para ai u akuzua se ua kishte premtuar disa shtetasve në këmbim të votës në favor të PSD-së.