Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi mund të ketë fatin e ish kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe, pasi SPAK duket se i ka dokumentuar një aferë korruptive me tendera. Golemi u paraqit disa ditë më parë në SPAK, ku është pyetur për një skemë të dyshuar korrupsioni me tenderat e Bashkisë Gjirokastër. Kryebashkiaku Flamur Golemi dyshihet se është përfshirë në një skemë korrupsioni (620 mijë euro) me biznesmenët Ferdinant Çaushi dhe Isuf Meçi, me tenderin me objekt rikonstruksion i godinës ekzistuese dhe shkallës së emergjencës dhe dhomës teknike në shkollën 9-vjeçare ‘Urani Rumbo’ të Gjirokastrës.
Në tetor të vitit 2025, Bashkia Gjirokastër ka shpallur fituese kompanitë Ina shpk të Ferdinat Çaushit dhe Eurobeton të Isuf Meçit për rikonstruksionin e shkollës ‘Urani Rumbo’. Fondi limit ishte 780 mijë euro, ndërsa oferta fituese rezulton 620 mijë euro. Ka dyshime të forta se fituesit e tenderit janë paracaktuar me pazar në tavolinë me qëllim përvetësimin e parave publike.

Çfarë ka ndodhur?
Kontratën për rikostruksionin e shkollës ka nisur t’a zbatojë Bashkia e Gjirokastrës me punonjësit e saj, ndërsa paratë i kanë marrë biznesmenët Çaushi dhe Meçi, të cilët dyshohet se i kanë ndarë me Flamur Golemin. Sipas burimeve, në objektin në fjalë kanë shkuar duke kryer punime ekipe të Bashkisë Gjirokastër në vend të dy kompanive të kontraktuara, fituese të tenderit 600 mijë euro.
Skema është sa e thjeshtë aq edhe flagrante dhe sfiduse për drejtësinë. Tenderin e kanë fituar kompanitë Ina shpk dhe Euro Beton shpk, ndërsa punimet i ka kryer Bashkia Gjirokastër, duke zbatuar praktikisht kontratën për të cilën ka paguar dy kompanitë në fjalë. Ferdinant Çaushi dhe Isuf Meçi dyshohet se janë pjesë e klientelës së Flamur Golemit, pasi më herët kanë marrë me pazar në tavolinë edhe tenderin 400 mijë euro për rikonstruksionin e rrugës Zhulat Gjirokastër loti I.