Policia e Tiranës ka arrestuar 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta, nipi i Vladimir Gjutës, pas ngjarjes së ndodhur në hotelin e familjes së tyre ku në 18-vjeçare u plagos me armë zjarri.
18-vjeçarja ishte e dashura e Erisjaldo Gjutës dhe ngjarja e ndodhur ka shumë hije dyshimi nëse ajo është vetë-plagosur apo nëse e ka plagosur dikush tjetër.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapën dhe ndaluan shtetasin E. Gj., 22 vjeç, i shpallur në kërkim ditën e djeshme për veprat penale ‘Moskallëzim i krimit’, ‘Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës’, kryer në bashkëpunim, dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit’, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas raportimeve të para pas ngjarjes është bërë e ditur se vajza ka qenë vetëm në dhomë të gjumit kur ka marrë armën dhe ka qëlluar veten.
Sajmir dhe Erisjaldo Gjuta kanë pretenduar se kanë qenë jashtë dhe kanë dëgjuar të shtënat. Kur kanë hyrë te dhoma kanë parë vajzën të vetëplagosur dhe kanë thirrur edhe anëtarët e tjerë, Mirvete dhe Vladimir Gjuta dhe kanë vendosur që të pastrojnë vendin e ngjarjes, kanë marrë e fshehur armën, kanë larë gjakun, ndërsa Mirvetja me Elvirin janë nisur me makinë për ta dërguar në spital dhe janë porositur të deklarojnë që “vajzën e kanë gjetur të shtrirë te rrethi i Ekonomikut”.
Pas hetimit, rezultoi se vajza në fakt ishte vetëplagosur në hotelin e tyre. 18-vjeçarja dyshohet se ka tentuar edhe herë tjetër për t’u vetëdëmtuar.