The Economist: Tokëvili dhe ankthi liberal – A e rrezikon demokracia vetë lirinë?

Aktualitet

Publikuar: 12/02/2026

The Economist: Tokëvili dhe ankthi liberal – A e rrezikon demokracia vetë lirinë?

Nga The Economist

Ai është ndoshta anëtari më i pazakontë i panteonit liberal. Liberalizmi zakonisht ka qenë më energjik në mesin e klasave të mesme anglo-amerikane. Në të kundërt, Alexis de Tocqueville ishte një anëtar krenar i aristokracisë franceze. Liberalizmi shpesh është i zhytur në optimizëm deri në atë pikë sa rrëshqet në naivitet. Tokëvili besonte se optimizmi liberal duhet shoqëruar me një dozë pesimizmi. Përparimi nuk është automatik; ai varet nga qeverisja e mençur dhe politikat e arsyeshme.

Ai renditet gjithashtu ndër më të mëdhenjtë. Shkroi studime klasike për dy motorë të rendit liberal në formim: “Demokracia në Amerikë” (1835-40) dhe “Regjimi i Vjetër dhe Revolucioni Francez” (1856). Ai ndikoi në formësimin e liberalizmit francez si aktivist politik dhe si mendimtar. Ishte pjesëmarrës kryesor në “Debatin e Madh” të viteve 1820 mes liberalëve dhe ultra-rojalistëve për drejtimin e ardhshëm të Francës. Në vitin 1849 shërbeu për pak kohë si ministër i jashtëm (vdiq një dekadë më pas). Ai e zgjeroi traditën liberale duke i nënshtruar devocionet e buta të klasës së mesme anglo-amerikane një përbuzjeje aristokratike; dhe e thelloi atë duke paralajmëruar rreziqet në rritje të centralizimit burokratik. Më mirë se çdo liberal tjetër, Tokëvili kuptoi rëndësinë që puna kolektive e shoqërisë të kryhet sa më shumë nga vetë njerëzit, përmes përpjekjes vullnetare, e jo nga qeveria.

Liberalizmi i Tokëvilit shtyhej nga dy forca. E para ishte përkushtimi i tij i ashpër ndaj shenjtërisë së individit. Qëllimi i politikës ishte të mbronte të drejtat e njerëzve (sidomos të drejtën për diskutim të lirë) dhe t’u jepte hapësirë të zhvillonin plotësisht aftësitë e tyre. E dyta ishte bindja e tij e palëkundur se e ardhmja i përkiste “demokracisë”. Me këtë ai nënkuptonte më shumë se demokracinë parlamentare me zgjedhje dhe votim të gjerë; ai nënkuptonte një shoqëri të bazuar në barazi.

Regjimi i vjetër mbështetej mbi idenë se shoqëria ndahej në klasa të fiksuara: disa lindin për të sunduar, të tjerë për të shërbyer. Sundimtarët, si familja e Tokëvilit në Normandi, trashëgonin përgjegjësi po aq sa privilegje. Ata ishin moralisht të detyruar të kujdeseshin për “njerëzit e tyre” dhe të shërbenin “vendin e tyre”. Shoqëria demokratike mbështetej në idenë se të gjithë lindin të barabartë. Ata hynin në botë si individë, jo si aristokratë apo fshatarë. Përgjegjësia e tyre më e madhe ishte të shfrytëzonin sa më mirë aftësitë e veta.

Terrori dhe shteti
Shumë anëtarë të klasës së Tokëvilit mendonin se demokratizimi ishte si aksident, ashtu edhe gabim: aksident sepse menaxhimi më i zgjuar i regjimit të vjetër mund ta kishte shmangur revolucionin e vitit 1789; gabim sepse demokracia shkatërroi gjithçka që ata çmonin më shumë. Tokëvili e quante këtë marrëzi dhe i mëshironte aristokratët që shpenzonin jetën në përpjekje të dënuara për të rikthyer privilegjet.

Pyetja e madhe në qendër të mendimit të tij ishte marrëdhënia mes lirisë dhe demokracisë. Ai ishte i bindur se liria pa demokraci është e pamundur; por druhej se demokracia pa liri është e mundur. Demokracia mund të transferojë pushtetin nga aristokracia e vjetër tek një shtet qendror gjithëpushtetshëm, duke i kthyer individët në atome të pafuqishme e të izoluara. Ose mund të tallet me diskutimin e lirë duke manipuluar njerëzit të nënshtrohen para mendimit konvencional.

Sipas disa studiuesve, kontributi i Tokëvilit ishte identifikimi i një defekti strukturor në shoqëritë demokratike. Liberalët janë aq të përqendruar te “kontrata” mes individit dhe shtetit, sa lënë pak hapësirë për shoqatat ndërmjetëse që shërbejnë si shkolla të politikës lokale dhe si barriera mes individit dhe shtetit. Ai ishte ndër të parët që paralajmëroi se liberalizmi mund të shkatërrojë vetveten. Shtetet mund të përdorin parimin e barazisë për të grumbulluar pushtet dhe për të shtypur traditat e komunitetet lokale. Një centralizim i tillë mund të zvogëlojë larmishmërinë institucionale, t’i bëjë individët të pambrojtur përballë shtetit dhe të shkatërrojë traditat e vetëqeverisjes. Kështu, një parim liberal – trajtimi i barabartë – mund të përfundojë duke shkatërruar tre të tjerë: vetëqeverisjen, pluralizmin dhe lirinë nga detyrimi.

Tokëvili druhej se vendi i tij mund të binte sërish në një demokraci joliberale, si në kohën e Terrorit nën Robespierin më 1793. Revolucionarët, të verbuar nga parullat e lirisë, barazisë e vëllazërisë, shtypën kundërshtarët dhe masakruan aristokratët, përfshirë shumë nga familja e tij. Prindërit e tij shpëtuan, por i ati u thinj në moshën 24-vjeçare dhe e ëma mbeti e traumatizuar.

Ai shqetësohej jo vetëm për gjakderdhjen, por për kërcënimin më të hollë të pushtetit shtetëror. Monarkia kishte forcuar një shtet tepër të fuqishëm duke përqendruar pushtetin në qendër. Revolucioni e përfundoi procesin, duke shfuqizuar autonominë lokale dhe duke i reduktuar qytetarët në një nënshtrim të barabartë nën “pushtetin kujdestar” të madh të shtetit.

Në të kundërt, Shtetet e Bashkuara përfaqësonin demokracinë në formën e saj më të mirë. Arsyeja zyrtare e udhëtimit të tij në 1831 ishte studimi i sistemit penal amerikan, por dëshira e tij reale ishte të kuptonte si Amerika kishte kombinuar demokracinë me lirinë. Ai u impresionua nga qeverisja lokale e fortë në Nju-Inglënd dhe nga egalitarizmi i ashpër i kufirit.

Pse fëmijët e revolucionit amerikan arritën atë që nuk arritën fëmijët e revolucionit francez? Një faktor ishte shpërndarja e pushtetit: kontrolli dhe balancat në Uashington dhe ushtrimi i pushtetit në nivelet më të ulëta – shtete, qytete, bashki e organizata vullnetare. Faktori i dytë ishin “zakonet”. Amerika kishte trashëguar tradita britanike si e drejta zakonore dhe një elitë drejtuese e përkushtuar ndaj institucioneve lokale.

Liria dhe feja
Amerika kishte edhe avantazhin e lirisë fetare. Tokëvili besonte se shoqëria liberale mbështetet te morali i krishterë, i cili predikon barazinë dhe vlerën e pafundme të individit. Por regjimi i vjetër e kishte kthyer krishterimin në shtojcë të shtetit. Vendimi amerikan për ta bërë fenë çështje ndërgjegjeje krijoi një aleancë jetike mes “frymës së fesë” dhe “frymës së lirisë”. Amerika “ecën vetë”, sepse prodhon qytetarë energjikë e të vetëbesueshëm që organizohen pa pritur zgjidhje nga qeveria.

Ai nuk ishte i verbër ndaj mangësive të demokracisë amerikane. U çudit që shoqëria më liberale praktikonte skllavërinë, por mendonte se ajo do të zbehej. Shqetësohej për kultin e njeriut të zakonshëm dhe për rrezikun që individualizmi të kthehej në egoizëm. Kombinimi i egalitarizmit me individualizmin mund të dobësonte mbrojtjen ndaj pushtetit shtetëror dhe t’i kthente qytetarët në dele të kënaqura me burokratë dashamirës.

Tokëvili ndikoi fuqishëm te ata që ndanin frikërat e tij. John Stuart Mill e falënderonte për thellimin e idesë se qeverisja e shumicës mund të pengojë mendimtarët e veçantë. Politikanë liberalë përdorën argumentet e tij për arsimin masiv ose për të kufizuar zgjerimin e votës. Në shekullin XX, intelektualë amerikanë e përdorën për të paralajmëruar se shoqëria masive dhe zgjerimi i qeverisë federale mund të dobësojnë lirinë, duke centralizuar pushtetin dhe dobësuar shoqërinë civile. Kohët e fundit, liberalët amerikanë janë shqetësuar për përqendrimin e pushtetit në presidencë, sidomos pas rikthimit të Donald Trump.

Në vitet e fundit, Shoqëria Tokëvil organizon “Bisedat e Tokëvilit” në rezidencën familjare në Francë për të diskutuar mënyrat se si demokracia është nën sulm. Edicioni i vitit 2025 titullohej: “Momenti i Evropës: mes revolucionit MAGA dhe revizionizmit rus.”