8 emrat që Berisha, Meta e Ahmetaj i ngjitën Altin Dumanit pasi u hapi dosjet e korrupsionit dhe pastrimit të parave

Kryesore

Publikuar: 03/02/2026

8 emrat që Berisha, Meta e Ahmetaj i ngjitën Altin Dumanit pasi u hapi dosjet e korrupsionit dhe pastrimit të parave

Të përceptuar si figurat kryesore të korrupsionit në politikën shqiptare, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Arben Ahmetaj, goditjen e tyre penale nga SPAK e lidhin kryesisht me një emër; Altin Dumanin. Hapja e disa prej dosjeve të tyre dhe më pas ndërtimi i akuzave për korrupsion dhe pastrim parash ka ndodhur, ç’është e vërteta, pasi Altin Dumani erdhi në krye të SPAK.

Edhe pse gjithnjë është treguar modest sa i takon meritave, goditja penale e treshes Berisha-Meta-Ahmetaj shihet më shumë si një arritje personale e Altin Dumanit.

Ndërkaq, reagimi i të akuzuarve si të korruptuar ndaj Altin Dumanit, ashtu siç edhe pritej, ishte i ashpër dhe kërcënues, plot mllef, urrejtje dhe shpifje, me epitete fyese dhe nofka përçmuese, përgjithësisht i drejtëpërdrejtë dhe disa herë me mesazhe të koduara.

Vështirë të harrohet shpërthimi i Ilir Metës ndaj Altin Dumanit, në prill të vitit 2024, disa muaj para arrestimit të tij, kohë kur kreu i LSI-së me sa duket kishte parandierë atë i ndodhi më pas. Krahas akuzave, aludimeve dhe kërcënimeve, Meta e quajti Dumanin ‘Dumduman‘, ‘Tarallak‘ dhe ‘Palaço‘, duke e sfiduar se nuk mund t’a arrestonte.

Plot katër emra dhe mbiemra i ka ngjitur Sali Berisha ish kreut të SPAK-ut. Altin Dumani, duke e identifikuar si njeriun kyç që i hapi dosjen e aferës me ish Klubin Partizani, ngritjen e akuzave, izolimin e tij për 1 vit në shtëpi, arrestimin e dhëndrit etj. Berisha e quan Dumanin me emrat si; Altin Troplini, Altin Hajri, Altin Lala, Po-ja i SPAK-ut etj. Sali Berisha vijon çdo javë sulmet ndaj Dumanit, duke i ngjitur herë pas here një emër të ri fyes dhe përçmues.

Ndonëse më i moderuar, edhe Arben Ahmetaj i ka vendosur një epitet ish kreut të SPAK-ut, Altin Dumani. Ahmetaj e ka quajtur dhjetëra herë Dumanin me emrin ‘Roberspier‘, duke iu referuar Maximilien François Marie Isidore de Robespierre, një figurë kryesore e Revolucionit Francez, sidomos në zbatimin e politikave të njohura si Mbretërimi i Terrorit.

Kjo periudhë (1973) u karakterizua nga ekzekutime masive të armiqve të perceptuar të revolucionit. Më 28 korrik 1794, Maximilien Robespierre u arrestua gjatë Reaksionit Thermidorian, ku së bashku me disa nga bashkëpunëtorët e tij, u ekzekutuan me gijotinë. Sipas Ahmetajt, në arrati pasi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, Dumani ka zbatuar politikat e Ramës për goditjen e armiqve të brendshëm.