Artan Sako i 2T 110 milionë euro tendera, si përfundojnë paratë në xhepat e kryebashkiakut Gramos Sako me kontrata fiktive dhe paga (skema e zhvatjes)

Investigim

Publikuar: 29/01/2026

Artan Sako i 2T 110 milionë euro tendera, si përfundojnë paratë në xhepat e kryebashkiakut Gramos Sako me kontrata fiktive dhe paga (skema e zhvatjes)

Kompania e ndërtimit 2T shpk, me pronar në letra Artan Sako, ishte disa ditë më parë objekt kontrollesh të befasishme nga BKH-ja, në kuadër të hetimit të aferave korruptive me veprat publike, kryesisht rrugët. Në vitin 2013, kur PS-ja erdhi në pushtet, 2T ishte një komani modeste dhe pothuajse e panjohur. Gjatë pushtetit socialist, për shkak të lidhjeve politike dhe funksioneve publike të vëllai të Artan Sakos, Gramos Sako, kompania jo vetëm ka dhjetëfishuar xhiron vjetore, por u shndërrua në firmat kryesore përfituese të parave publike.

(Gramos Sako, i cili besohet se është pronari real i 2T shpk, ka qëndruar 11 vite në krye të Gardës së Republikës, ndërsa në nëntor të vitit 2025 është zgjedhur kryetar i Bashkisë së Beratit). Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, kompania e 2T ka përfituar e vetme mbi 110 milionë euro para publike, përmes tenderave klientelistë, me dokumente false, hije të forta korrupsioni dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave.

Një pjesë e parave publike të përfituara nga kompania 2T shpk e Artan Sakos përfundojnë në xhepat e kryebashkiakut Gramos Sako përmes kontratave fiktive, transaksioneve të dyshimta dhe pagave arbitrare për famijarët e tij. Në deklarimin e pasurisë në ILDKPKI, Gramos Sako, në një rast, ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka marrë një hua me vlerë 63 mijë euro tek vëllai i tij, Artan Sako, për t’i investuar në klinikën e saj dentare.

Bëhet fjalë për klinikën, të cilën Komisioni i Vetingut në Polici e konsideroi si problematike sa i takon lëvizjes së parave, gjatë verifikimit të Gramos Sakos, kur ky i fundit ishte në krye të Gardës së Republikës. Përpos huave të dyshuara fiktive, vajza e kryenashkiakut të Beratit, Gramos Sakos, rezulton e punësuar pranë kompanisë 2T shpk, duke deklaruar rreth 18 mijë euro pagë vjetore.

Po a janë 63 mijë euro dhe paga 18 mijë euro në vit shumat e vetme që Gramos Sako ka marrë nga i vëllai Artan Sako, i cili ka marrë dhjetëra milionë euro para publike?!

Duke ndjekur rrugën e parave, SPAK dhe BKH duhet të fokusohen tek kompania AS MEDICAL CARE SHPK, në pronësi të bashkëshortes dhe vajzës së Artan Sakos. Kompania e themeluar në vitin 2020 ka gjeneruar qindra mijëra të ardhura. Ka dyshime të forta se një pjesë e parave që 2T ka marrë nga buxheti i shtetit përmes tenderave korruptivë, kanë përfunduar dhe janë qarkulluar me kompaninë AS MEDICAL CARE SHPK.

Ka dyshime se edhe dy nipte të tjera të famijarëve të Artan Sakos si persona fizikë janë përfshirë në transaksione me kompaninë e tenderave abuzivë 2T shpk. Evidencat flasin për një skemë ndikimi dhe përfitimi të paligjshëm, duke përdorur lidhjet politike dhe funksionin publik nga Artan Sako.

Ndërkaq, në maj të vitit 2024, kompanai 2T e Artan Sakos është përjashtuar 6 muaj nga pjesëmarrja në tendera publikë pasi është kapur me dokumente false. Sipas vendimit, APP ka vërtetuar se shoqëria ndërtuese 2T ka paraqitur të dhëna të rreme, në bazë të të cilave është shpallur fitues në tenderat për ndërtimin e godinës së re të Universitetit “Aleksandër Mosiu” në Durrës, për rikonstruksionin e godinës së Hipotekës në Tiranë dhe për rehabiltimin e digës së rezervuarit të Pacomit në Përmet.