Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë njëri nga tre të rinjtë e përfshirë në aksidentin e ndodhur më 19 janar në autostradën Milot–Mamurras, pranë fshatit Gjorm në Kurbin.
Drejtuesi i automjetit tip “Audi”, Albert Togu, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Dy pasagjerët që udhëtonin me të, Albion Mamli dhe Romario Alija, ndodhen ende nën kujdesin e mjekëve.
Pas ndarjes nga jeta të 23-vjeçarit, familjarët kanë kallëzuar në Prokurori mjekët e Spitalit të Traumës, duke i bërë përgjegjës për vdekjen e tij.
Babai i viktimës, Kujtim Togu, ka deklaruar për mediat se djali i tij ka humbur jetën si pasojë e neglizhencës mjekësore dhe se ende nuk është kryer autopsia.
Sipas tij, Mjekësia Ligjore nuk mund të realizojë autopsinë pa kartelën mjekësore të të ndjerit, e cila nuk është lëshuar ende nga Spitali i Traumës.
“Kam bërë kallëzim në Prokurori sepse djali im ka ndërruar jetë nga neglizhenca e mjekëve. Ata thonë se ka pësuar trombozë në zorrën e trashë, ndërsa gjatë operacionit kanë konstatuar se pankreasi ishte i ënjtur dhe i skuqur.
Djali ishte i vetëdijshëm dhe ata nuk e kanë kuptuar në kohë gjendjen e tij. Organizmi u helmua dhe e kuptuan vetëm kur ishte tepër vonë,” ka thënë ai për mediat.