“Kishte kuriozitet” – Argumentimi i SPAK për futjen në grup kriminal të Agim Ismailit, një biografi e keqe dhe gazetari mallist që shiti burimin e lajmit

Krim & Korrupsion

Publikuar: 20/01/2026

“Kishte kuriozitet” – Argumentimi i SPAK për futjen në grup kriminal të Agim Ismailit, një biografi e keqe dhe gazetari mallist që shiti burimin e lajmit

SPAK ka zbardhur hakerimin e dosjeve penale nga disa prej kompjuterave të prokurorëve të posaçëm nga Arnold Rrokaj, një personazh nga Vlora i dhënë dhe i fiksuar pas teknologjisë. Duke luajtur me telefon në shtëpinë e tij, Arnold Rrokaj ka arritur të depërtojë lehtësisht në kompjuterat e disa prej prokurorëve të SPAK-ut, duke hakeruar dosjet për Arben Ahmetajn, Klod Allajbeun, Damian Gjiknurin etj. Të paktën kështu ka pretenduar Rrokaj pas arrestimit kur është pyetur në SPAK.

Arnold Rrokaj ka arritur të futet në kompjuterat e prokurorëve Behar Dibra, Enkeleda Millonai dhe Elida Kaçkini, duke siguruar materiale hetimore. Më pas këto dosje i ka ndarë me shokun e tij, Zambak Gjoni. Ky i fundit i ka ndarë dosjet hetimore me disa miq të tij, përfshirë edhe gazetarin Elvi Fundo, i njohur si Vesho Mallisti, i cili ka informuar menjëherë Altin Dumanin.

Zambak Gjoni ka deklaruar në SPAK se “me Elvi Fundon kam njohje shoqërore pasi e kam njohur kur kam qenë i punësuar në Korçë, përpara disa vitesh, ndërsa Basri Collakun e kam njohur nëpërmjet miqve të përbashkët. Dua të shtoj faktin se këtyre shtetasve nuk ju kam dërguar të gjithë materialin që më ka dërguar shtetasi Arnold Rrokaj, por vetëm një pjesë të vogël të materialit, pra në total një ose dy nga këto informacione“.

Është regjistruar menjëherë çështja penale si grup kriminal, edhe pse ishin vetëm dy anëtarë, Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni.

Më datë 12.03.2025 nga ana e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Z. Altin Dumani, informohem se administratori i portalit mediatik “CNA” Elvi Fundo, kishte vënë në dijeni nëpërmjet whatsapp se një shtetas me emrin Zambak Gjoni i kishte dërguar informacione të procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, të cilat i dispononte në formatin “Eord”. Nga këqyrja që ju bë aparatit telefonik celular të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme rezulton se përmbajtja e dokumenteve që zotërohen përkatësisht nga shtetasi Elvi Fundo, dërguar nga ana e shtetasit Zambak Gjoni, përkon me dokumentacionin (elektronik file) të administruar në fashikullin dhe “Folder e procedimit penal 277/1” të vitit 2022“, thuhet në dosjen e SPAK-ut.

Gjatë rrugës, për të bërë grupin me tre anëtarë, është gjetur Agim Ismailaj, i cili ka treguar interes për dosjet që i kishte dërguar miku i tij, Zambak Gjoni. Ismaili e ka pyetur Gjonin nëse kishte ndonjë dosje për Ulsi Manjën. Kjo pyetje kurioze e Ismailit është konsideruar si inkriminuese nga SPAK. Duke futur Ismailajn në grup kriminal, vetëm sepse ka treguar interes nëse kishte dosje të tjera, SPAK ka normuar një vepër të re penale, atë të ‘kuriozitetit kriminal.”

Agim Ismailaj mund të merret i pandehur për afera me tendera kur ishte drejtor i Burgjeve dhe ndoshta për shumë vepra të tjera penale, por në rastin kontret, vetëm për grup i strukturuar kriminal nuk mund të akuzohet. Me sa duket i vetëdijshëm se kjo akuzë është e sajuar dhe e sforcuar në raport me faktet dhe rrethanat, prokurori i posaçëm ka përfshirë në dosje edhe një ‘biografi të keqe’ të Agim Ismailajt, për të mbështetur përfshirjen e tij në grup, me qëllim që dosja të mos kalonte për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës.

Rrëfimi i Arnold Rrokajt në SPAK:

“Lidhur me shoqërimin tim në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kam për të sqaruar se përpara ndoshta 2 muajsh, kam qenë në banesë duke luajtur me telefonin tim personal, dhe po bëja disa skanime në një faqe online në rrjet, konkretisht, kjo faqe online, të cilat merren me skanimin e domain-eve, për të parë nëse ka ndërfaqe të tjera, nën faqe kryesore.

Kjo përdoret nga ekspertët e IT-së, për testimin e portave në rrjet. Pasi kisha provuar disa adresa, kam provuar faqen spak.gov.al. Veprim të cilin e kam bërë vetëm i shtyrë nga kurioziteti se çfarë kishte.

Pasi kam provuar këtë faqe nga telefoni, më janë shfaqur tre ose katër ndërfaqe të tjera, të cilat ishin autodiscover.spak.gov.al, e shoqëruar dhe me numrin përkatës të IP-së, e dyta ishte mail.spak.gov.al dhe e treta ka qenë spak.gov.al.

Pasi i kam provuar, është hapur vetëm spak.gov.al. Më pas më është shfaqur një faqe email-i, ku më kërkonte kredencialet për të hyrë. Kam provuar disa kredenciale, konkretisht me emrat e prokurorëve të SPAK, pasi emrat e tyre ishin të afishuar në faqen zyrtare të SPAK.

Pasi kam provuar disa prej tyre, është arritur të hapet përdoruesi me emrin elida.kackini, me fjalëkalim Spak@2019. Pasi u hap, i shtyrë nga kurioziteti, kam provuar dhe të tjerë përdorues, si për shembull behar.dibra, me fjalëkalim Spak@2019, dhe gjithashtu përdoruesin me emër enkelida.millonai, me fjalëkalim Spak@2019.

Pasi këto tre janë hapur, i shtyrë nga kurioziteti, kam filluar duke parë materialet që ishin të dërguara dhe marrë në email-et e këtyre përdoruesve.

Këto materiale, janë ruajtur në aparatin tim celular, të cilin ja kam vënë në dispozicion oficerëve të policisë gjyqësore, në folder-in download, në të cilin ka patur dhe materiale të tjera të shkarkuara, të cilat i kam fshirë.

Disa prej këtyre materialeve që kam shkarkuar, kam komunikuar me një shokun tim me emrin Zambak Gjoni, të cilit i kam dërguar disa prej këtyre materialeve. Kryesisht i kam dërguar disa informacione që janë bërë publike dhe në media.

Këto materiale janë relacione, informacione të përpiluara nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit apo dhe të prokurorëve. Këto materiale nuk i janë dërguar ndonjë personi tjetër, për arsye se kanë qenë tepër sensitive dhe të klasifikuara.

Pastaj e kam kontrolluar herë pas here gjendjen e të tre përdoruesve, dhe kur kam gjetur të dhëna të tjera, i kam hapur, i kam lexuar, dhe më pas i kam fshirë.

Dua të ritheksoj faktin se këto materiale nuk jam kam dërguar njeriu tjetër përveç se shtetasit Zambak Gjonit dhe gjithashtu i kam administruar vetë.

Gjithashtu dua të sqaroj faktin se për herë të fundit e kam kryer këtë veprim dje në mëngjes ose pardje, pra kam aksesuar adresën email behar.dibra, në të cilën vetëm lexova disa materiale, të karakterit të punës së përditshme rutinë, si relacione, informacione etj“.

Gjithashtu, Arnold Rrokaj ka rrëfyer; …Fillimisht kam përdorur aplikacionin online, i cili gjendet me adresën https://subdomainfinder.c99.nl. Pasi kam hapur këtë aplikacion, i cili ka të bëjë me skanimin e domaineve në rrjet, kam klikuar tek opsioni Private Scan, pasi ky opsion, bën të mundur që ky veprim nuk regjistrohet dhe çdo gjë ngel private ose e fshehur.

Më pas kam shkruajtur në fushën e kërkimit për domain-in, adresën e Prokurorisë së Posaçme, spak.gov.al dhe kam klikuar kryerjen e skanimit. Pasi bëhet skanimi, sistemi ka nxjerrë disa ndërfaqe, njëra nga këto është domain-i me adresë mail.spak.gov.al, e cila gjendet me IP 134.0.62.150. Kam klikuar këtë adresë, dhe ky veprim më ka dërguar në hapjen e një faqe të re, në të cilën paraqitej kërkesa për të aksesuar në adresë email-i, ku kërkohej emri i përdoruesit dhe fjalëkalimi.

Në këtë moment unë kam tentuar disa emra përdoruesish dhe disa fjalëkalime, përdoruesish që kam shpjeguar më sipër dhe kam tentuar me fjalëkalimin fillestar, që ishte Spak@2019. Për ato përdorues që ky fjalëkalim ishte i ndryshuar, unë nuk kam marrë dot akses në të dhënat e brendshme të asaj adrese email-i.

Kjo tentativë më ka funksionuar për ata përdorues që ju shpjegova më sipër… Nuk kam komunikuar me njeri tjetër për mënyrën e aksesimit, pasi ka elementë teknikë që jo çdokush i kupton.

Pra nga skanimi i faqes, ose përdorimi i inxhinierisë sociale për ta mbledhur informacionin dhe për ta administruar atë. Për veprimin e kryer kam komunikuar me nusen ose bashkëjetuesen time, të cilës i thashë se kam hapur faqen e SPAK, dhe ajo u habit kur e dëgjoi”.