Dokumenti sekret / Fondi Besa lavatriçja e pastrimit të parave të Ilir Metës në emër të Bajramit, fijet lidhëse, dallaveret dhe çfarë i bashkoi dy Muçët

Investigim

Publikuar: 16/01/2026

Dokumenti sekret / Fondi Besa lavatriçja e pastrimit të parave të Ilir Metës në emër të Bajramit, fijet lidhëse, dallaveret dhe çfarë i bashkoi dy Muçët

Besa Sha, një nga shoqëritë e para mikrofinancë në Shqipëri që mban Niptin K81911023C, është licensuar nga Banka e Shqipërisë në 26 Dhjetor 2008. Me gjenezë Fonadacionin “Soros”, Fondi Besa ka për pronarë aktualë “Fondacionin Albanian Besa Capital” 66.47%, Bajram Muçaj me 20% dhe disa punonjës të tij, rreth 46, të cilët kanë kusurin e aksioneve në përqindje të vogla, aq sa për të heshtur mbi të vërtetën që qëndron në themel të tij.

Fondi Besa ka një nga licencat kryesore të mikrokredisë në Shqipëri, licencë që e ka marrë në 26 Dhjetor 2008 prej Bankës së Shqipërisë.

Ka edhe një satelit të vetin, për të cilin nuk flet askush, “Agro & Social Fund” Sh.p.k me nipt K71616007M, që është një kompani mikrokredie me pronar 100% Fondin Besa.

Agro & Social Fund është licensuar nga Banka e Shqipërisë në 30 Dhjetor 2009. Me këtë kompani Fondi Besa bën punët e pista nëpërmjet lëvizjeve dhe transaksioneve të hapura e të fshehta.

Në vitin 1998 “Soros” krijoi Fondacionin Besa, si organizatë joqeveritare dhe jo fitimprurëse. Më 28 Prill 1999 me VKM Nr. 207, kryministri dhe zv/kryeministri 30 vjeçar Majko & Meta, me ndihmën e “ekspertëve” Anastas Angjeli dhe Ermelinda Meksi, nënshkruan një nga aktet më të çuditshme në historinë e shtetit shqiptar. Prapaskena sjell për herë të parë dokumentin. 

Sipas Majkos dhe Metës, nga Fondi (shtetëror) i Zhvillimit Shqiptar, duhet të shkëputej një departament i cili do do quhej “Fondi i Financimit Rural”. 

Ky fond me lejen e qeverisë duhet të transferohej tek Fondacioni Besa, me gjithë asetet që kishte në formë granti. Asetet përfshinin 3 milionë dollarë, që një institucion shtetëror ia “falte” një Fondacioni privat, pra Fondit Besa. Propozues dhe ndërmjetës ishte Ilir Meta. 

Pandeli Majko, që prej atij viti, për herë të parë këtë dokument të klasifikuar e sheh me siguri sot. 

Nëse SPAK, do ekzistonte në 1999-ën, pa asnjë dyshim që do u vinte prangat të 4 firmëtarëve të VKM-së Nr. 207, perfshirë dy “adoleshentët” në krye të qeverisë.

Kështu nisi rrugën Fondi Besa. Me 3 milion dollarë të dhuruara nga Majko & Meta në 1999, ndërsa në 2006 mori një kredi 7 milionë Euro nga Agjencia Spanjolle për Kooperim dhe Bashkëpunim, fond i ndërmjetësuar nga Sali Berisha me Ridvan Boden. 

Në Qershor 2008 fondacioni “Besa” u shndërrua nga organizatë jofitimpruresë në shoqëri aksionere. 

Ministri i Financave të asaj kohe Ridvan Bode, miratoi një akt po aq të çuditshëm sa VKM-ja Nr. 207. Fondacioni joqeveritar “Besa” i shndërruar në “Fondi Besa” sh.a, tashmë të gjitha asetet dhe detyrimet që duhej t’ia kishte borxh qeverisë shqiptare, po ia transferonte ato një biznesi privat.

Për të filluar një aktivitet mikrokredie fondit i duhej një licensë që e jepte Banka e Shqipërisë me Guvernator Ardian Fullanin në atë kohë. 

Në 26 dhjetor 2008, supozohet se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, është mbledhur për të miratuar licensën Nr. 10 të kompanisë mikrofinancë “Fondi Besa”. Asnjë mbledhje të zhvilluar nuk ka të pasqyruar në këtë datë dhe vit Banka e Shqipërisë. Një nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të asaj kohe, pretendon se licensa është “fake”.

Dy nga të përzgjedhurit për të drejtuar mamuthin e mikrokredive “Fondi Besa” që me krijimin e fondacionit në 1999, janë Bajram Muçaj dhe Altin Muça, për 27 vjet të detyruar të qëndrojnë bashkë, njëri Drejtor dhe tjetri Zëvendës Drejtor Ekzekutiv i Fondit “Besa”. Të dy aksionerë, por Bajrami ka në “shpinë” shumë aksione të dikujt tjetër…

(Altin Muça dhe Bajram Muçaj)

Altin Muça, nip i Selim Muçës, ish kryetarit të Komunitetit Mysliman, njihet si “dora” e Sali Berishës në tregtinë e armëve. 

Në 1992, me ardhjen në pushtet të Berishës, Safet Zhulali, ministër Mbrojtje, e emëron Altin Muçën “Shef të shitjeve” në kompaninë “MEICO” që merrej me eksport-importin e armëve. 

Emri i tij lakohet në 1993 për zhvillimin e një trafiku të jashtëligjshëm armësh në aksin Tiranë-Bengazi.

Nga ana tjetër, Bajram Muçaj, i rritur në Leshnjë të Skaraparit, me një njohje të afërt familjare me prindërit e Ilir Metës, dërgohet në Universitetin Bujqësor të Kamzës, ku atje njihet me studentin Ridvan Bode. 

Bajrami, me lidhjet familjare të kohës së komunizmit, emërohet pas shkolle, drejtor i fermës së Thumanës në rrethin e Krujës. Nga 1987 deri në 1990, Bajram Muçaj caktohet të mbulojë edhe ish Kooperativën Bujqësore Borizanë, Thumanë dhe Bushnesh. Pas ardhjes së demokracisë largohet emigrant në Gjermani.

Altin Muça, “eminenca” gri e “Fondit Besa” pas misionit të përbushur të kontrabandës së armëve deri në 1994, largohet për një vit për në SHBA. Nuk dihen të sakta rrethanat se si i “puqën” Altin Muçën nga Dibra dhe Bajram Muçajn nga Skrapari, pas 1997 për t’i vendosur në drejtimin e “Mamuthit Besa” në 1998.

Lidhjet familjare të Altin Muçës me pushtetin e Berishës janë të njohura. Të gjithë kushërinjtë e parë “lundruan” nga pushteti i Berishës tek Meta duke përfunduar tek “Rama”. Arjan Muça (djali xhaxhait), nga ish drejtori famëkeq i Skuadrës së Operacioneve Specialeve në erën “Berisha”, sot i shërben Edi Ramës si drejtor i Antinarkotikëve në Policinë Kriminale. 

Alma Muça, (vajza e xhaxhait), nga 2001 prokurore, sot në Prokurorinë e Përgjithshme. Ermal Muça, (djali i xhaxhait), nga ish kryekancelar i Ambasadës së Shqipërisë në Ankara, emëruar nga Berisha në 2005, konsull në Japoni emëruar prej Ramës këtë vit. 

Ervin Muça, (djali i xhaxhait), i “akuzuar” nga Berisha si hajduti i sistemit “TIMS”, është një tjetër fije që ka depërtuar në degët e qeverisjes. 

Lidhjet familjare të Bajram Muçajt, i kanë fijet më të forta me fisin Metaj, të Ilir Metës, se sa me Berishën. Me këtë të fundit e lidh vetëm klani “Hajdarmataj”. Pas 15 vjetësh Fondi Besa, nga një fondacion jofitimprurës është shndërruar në një superfuqi financiare që me modesti ruan profilin e një kompanie microfinance.

Bajram Muçaj, si imazhi botoks i Fondit Besa, është personifikimi i këtij shndërrimit të kooperativistit në bankier grosist.

Vjedhjet, falsifikimet, kurvëria bashkë me ryshfetet në të gjithë spektrin shtetëror e kanë kthyer Fondin Besa në një Mamuth financiar që po lëviz ngadalë në sistemin bankar të Shqipërisë duke shkelur mbi çdo gjë.

Kush janë Edlira Qole, Robert Lukaj, Alban Kokalari, Enida Lluka dhe çfarë roli kanë apo kanë patur këta emra në Fondin Besa? Po Çapajev Gjokutaj dhe avokat Hajdari, çfarë i lidh me historinë “Besa”?

Mister 40 milionë euro kapitali

Nga 2007 deri në dhjetor 2008, Fondi Besa ka operuar pa licencë, duke dhënë 11 mijë kredi, si dhe ka hapur 41 degë në të gjithë vendin.

Brenda dy muajve, gusht-shtator 2008, kapitali u rrit pa burim nga 2 milionë lekë në 1 milionë euro. Më pas kapitali u rrit në 4 milionë euro. Deri në korrik të vitit 2022, kapitali u rrit në 40 milionë euro.

Fondi Besa ka vepruar në mënyrë të paligjshme nën kujdesin e Bankës së Shqipërisë, asokohe me në krye Ardian Fullanin, lidhje e ngushtë e Ilir Metës.
Arjana Fullani, bashkëshortja e Ardian Fullanit, ishte një nga anëtarët e Gjykatës së Lartë që votoi për pafajësinë e Ilir Metës në janar 2012 për videon Meta-Prifti.

Lidhje të tjera ekspozojnë Ilir Metën

Në një nga kallëzimet depozituar në SPAK ndaj Ilir Metës referohen disa transaksione të dyshimta me vlerë miliona euro nga offshoret dhe Andorra drejt llogarive të Fondit Besa.

Disa transaksione nga bankat në Andorra drejt llogarive të Fondit Besa përkojnë me  kohën kur Monika Kryemadhi ka kaluar kufirin tokësor në këmbë dhe me çanta të mëdha nëpër duar.

Pra, 2-3 ditë pasi Kryemadhi kalonte kufirin shqiptar drejt Greqisë në këmbë dhe me çanta, në llogaritë e Fondit Besa kalonin shuma të mëdha parash.

Nga ana tjetër, pjesë e stafit të Fondit Besa janë kryesisht anëtarë të ish LSI dhe ish drejtorë të LSI në piramidën e administratës publike 2009-2017. Rreth 70 % të kredimarrësve të Fondi Besa janë anëtarë të ish LSI dhe të rekomanduar verbalisht nga Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta.

Në vitin 2019, Prokuroria dokumentoi një nga skandalet e Fondit Besa, me marrjen e parave me fajde. Personazhe pranë ish LSI dhe kandidatë të kësaj partie, dorëzonin te Fondi Besa 50 deri në 100 mijë ero dhe pas disa ditësh merrnin pas 70-100 mijë euro.

Burime brenda Fondit Besa thonë se Bajram Muçaj është thjeshtë një menaxher i caktuar nga Ilir Meta. Burimet flasin edhe për urdhëra verbalë të Monika Kryemadhit për transaksione, punësime, ulje dhe ngritje në detyrë, aprovim kredish, fshirje kredish etj.

Bajram Muçaj shfaqet edhe si sponsor i fushatave elektorale të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dyqanit familjar të Ilir Metës, tashmë me tabelën Partia e Lirisë.

Nga ana tjetër, vëllai i tij, Lemi Muçaj, ishte kandidat i LSI pët deputet në zgjedhjet parlamenate të vitit 2021. I gjithë historiku ngre dyshime të forta se Fondi Besa është një lavatriçe pastrimi parash e Ilir Metës, që menaxhohet nga prestanome Bajram Muçaj.