Nikolas Bushi, i riu shqiptar që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po tërheq vëmendje me një talent të veçantë dhe pak të njohur në Shqipëri, ventrilokizmin, artin e të folurit pa lëvizur buzët.
Nikolas ka ardhur disa herë në Shqipëri, ndërsa këtë tetor u rikthye për të marrë pjesë në Albania’s Got Talent, ku u shndërrua në një nga emrat më të komentuar të finales. Ai interpreton përkrah kukullës së tij, Chris, një personazh plot sarkazëm dhe humor, që sipas Nikolasit, është pjesa më argëtuese e këtij arti.
Në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, ai rrëfen se pasioni për ventrilokizmin nisi rreth tetë vite më parë, i frymëzuar nga spektakli America’s Got Talent, të cilin e ndoqi për herë të parë në vitin 2017. Që nga ajo kohë, Nikolas ka praktikuar vazhdimisht këtë disiplinë artistike, duke e kthyer nga një kuriozitet në një profesion të mirëfilltë.
Sot, ai e sheh veten si një kontribuues në njohjen dhe përhapjen e këtij arti në Shqipëri, ku ventrilokizmi ka qenë pothuajse i panjohur.
Nikolas tregon se po punon për projekte të reja dhe se në të ardhmen mund të realizojë edhe bashkëpunime surprizë.
Mes Shqipërisë dhe Amerikës, Nikolas Bushi po ndërton një rrugëtim artistik të veçantë, duke sjellë për publikun shqiptar një formë argëtimi ndryshe, ku iluzioni, humori dhe kreativiteti ndërthuren në një eksperiencë unike skenike. /TemA