Përmbytjet në Durrës me 1 viktimë, Prokuroria nis hetimet për 3 vepra penale! Shkak edhe kanalet e bllokuara, dyshime për hidrovorin

Aktualitet

Publikuar: 08/01/2026

Përmbytjet në Durrës me 1 viktimë, Prokuroria nis hetimet për 3 vepra penale! Shkak edhe kanalet e bllokuara, dyshime për hidrovorin

Pas përmbytjeve, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për 3 vepra: “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”. Në Durrës u shënua edhe viktima e parë nga moti i keq, ku një 54-vjeçar dyshohet se e mori rrjedha e kanalit dhe humbi jetën.

 Në ditën e tretë të Durrësit të përmbytur, me prezencë uji ende në disa lagje periferike të tij, u shënua viktima e parë nga moti i keqAstrit Hysenaj, 54 vjeç, punëtor i pastrimit në Bashkinë e Durrësit, u gjet i pajetë nga policia këtë të enjten 8 janari në një kanal kullues, në zonën e ish-repartit ushtarak pranë Plepave. Dyshohet se ai është marrë nga rrjedha e ujit e krijuar nga përmbytjet.

Familja e tij e kishte denoncuar të zhdukur prej 6 janarit, ditën e parë të përmbytjeve që përfshirë Durrësin. Sipas kryebashkiakes Emirjana Sako, më 6 janar, herët në mëngjes, në orën 06:00, Hysenaj ishte paraqitur në punë dhe kishte ushtruar detyrën deri ne orën 10:30.  Pasi 54-vjeçari nuk u kthye në banesë, familjarët e kërkuan së pari në vendin e punës dhe më tej denoncuan në polici në orën 16:00.

Vdekja e punëtorit shënon pikën më të rëndë të përmbytjeve katastrofike në Durrës që kanë shtyrë Prokurorinë të nisë hetimet kryesisht, për 3 vepra penale’; “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”. 

“Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme”, informoi Prokuroria e Durrësit

Organi i akuzës thotë se gjendja e krijuar 2 ditë më parë nga përmbytjet, pengoi “zhvillimin normal i aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun” dhe se në këto kushte ka të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.

“Gjithashtu, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend”, njofton Prokuroria e Durrësit. 

Prokuroria e Durrësit thekson se do të jetë hetimi ai që do të përcaktojë nëse shkaqet e përmbytjes kanë qenë natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore.

1767710068_permbytjetnedurres.JPG
Foto me dron nga përmbytjet në Durrës

Situata në qarkun e Durrësit mbetet kritike nga përmbytjet, sidomos në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytja erdhi edhe nga rritja e prurjeve të lumit Erzen, duke rënduar më tej situatën. Emergjencat civile urdhëruan evakuimin e detyrueshëm të banorëve.

Zona e ish-Kënetës, Shkozeti, Spitalla po vuajnë pasojat e përmbytje së dy ditëve më parë. Në terren, shihen kanalet kulluese të bllokuara nga inertet, dherat dhe mbetje urbane, një shkak që dyshohet se ka çuar edhe në përmbytjet. Në vend që të përcjellin ujin drejt detit ato janë kthyer në barriera pritëse.

Në qendër të akuzave të opozitës janë investimet, mes tyre dhe hidrovori i ri i ndërtuar në vitin 2022 në Porto Romano, i cili dyshohet se nuk ka funksionuar me kapacitet të plotë. Për këto dyshime, Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK.

Foto nga plehrat në kanale kulluese

Deri më tani, perllogariten mbi 1 mijë banesa te permbytura ne Durres, rreth 335 biznese janë dëmtuar dhe mbi 300 banorë janë evakuuar në Konvalishencë.

/Shqiptarja.com