VIDEO / Berisha kapet mat duke lexuar artikullin ku e quajnë “trushkulur”, sulmon gazetarin Adriatik Doçi

Kryesore

Publikuar: 06/01/2026

VIDEO / Berisha kapet mat duke lexuar artikullin ku e quajnë “trushkulur”, sulmon gazetarin Adriatik Doçi

Kamerat e kapën dje ish-kryeministrin non grata Sali Berisha me celular në dorë, i fokusuar në portalin Prapaskena, duke lexuar versionin anglisht të një shkrimi me titullin “Rinas-Karakas, linja ajrore e trushkulurve”.

Nga pamjet duket qartë se ai po ndiqte me vëmendje artikullin, i cili është një koment satirik që e vendos opozitën shqiptare në kontekstin e ngjarjeve globale.

Teksti tallet me iluzionet e atyre opozitarëve që interpretojnë ngjarjet e fundit ndërkombëtare sikur Shqipëria të jetë qendra e politikës së jashtme amerikane. Ata kanë aluduar se nëse forcat amerikane kapën Nicolás Maduro në Venezuelë, pse të mos zbresin ditën tjetër në Rinas për të kapur Ramën.

Artikulli shkruan ndër të tjera se në rrjetet sociale të opozitës berishiste po festohet sikur FBI-ja ka marrë biletë vajtje-ardhje për Tiranë dhe superfuqia globale është reduktuar tashmë në Uber-in e Sali Berishës.

…Se ç’lidhje ka Shqipëria me Venezuelën, këtë e dinë vetëm trushkulurit tanë. Ato mendojnë se Trump-i paska thënë: ‘Lëreni naftën, lëreni kartelet, lëreni interesin strategjik. Shkoni dhe shpëtoni Sali Berishën, Adriana Kalanë dhe Klevis Balliun nga depresioni politik, se do na destabilizohet gjithë Ballkani…“, shkruan artikulli.

Pamjet shkaktuan ilaritet. Jo vetëm për faktin që Berisha po lexon vetë artikullin ku e quajnë trushkulur, por edhe sepse gazetari dhe botuesi i Prapaskenës, Adriatik Doçi, është bërë objekt i sulmeve të tij politike pas këtij momenti.

Berisha e ka quajtur publikisht Doçin “shpifës” dhe “gazetar të Linda Ramës”.

Artikulli i plotë që tërboi Berishën

Nga Endri Kajsiu

Nicolás Maduro u arrestua në Karakas dhe po transportohet drejt Nju Jorkut. Në Tiranë, opozita ka hapur shampanjën. Sepse sipas logjikës së saj, nëse forcat Delta hynë në shtëpinë e Maduro-s, avioni tjetër ndalon në Rinas. Nuk ka rëndësi që Shqipëria s’është Venezuelë. Nuk ka rëndësi që nuk kemi naftë, kartele apo peshë gjeopolitike. Logjika e trushkulurit nuk funksionon me fakte. Funksionon me halucinacione.

Dhe halucinacioni i radhës quhet: “Trump-i do arrestojë Ramën dhe do sjellë Berishën.”

Në rrjetet sociale të opozitës berishiste po festohet sikur FBI-ja ka marrë biletë vajtje-ardhje për Tiranë. Adriana Kalaja, Genc Gjokutaj, Klevis Balliu dhe gjithë kalaja e kashtës në PD flasin me bindjen e njerëzve që sapo kanë dalë nga një Zoom me Trump-in. Sipas tyre, Amerika është një taksi politike:
– ndalon ku i thua,
– rrëzon kë t’i kërkosh,
– dhe të sjell kryeministrin që do ti.
Një superfuqi globale e reduktuar në Uber-in e Sali Berishës.

Po se ç’lidhje ka Shqipëria me Venezuelën, këtë e dinë vetëm trushkulurit tanë. Ato mendojnë se Trump-i paska thënë: “Lëreni naftën, lëreni kartelet, lëreni interesin strategjik.

Shkoni dhe shpëtoni Sali Berishën, Adriana Kalanë dhe Klevis Balliun nga depresioni politik se do na destabilizohet gjithe Ballkani.”

Venezuela është hambar nafte dhe nyje droge, mor trushkulur, ndërsa Shqipëria prodhon domate, presh dhe statuse Facebook-u opozitar.
Apo harrova: trushkulurit nuk ushqehen me logjikë, por me shpresë delirante. Shqipëria shpallet Venezuelë. Domatja bëhet naftë. Preshi shpallet kartel.

Rama shpallet Maduro. Berisha shpallet shpëtimtar. Dhe Trump-i sapo u zgjua sot, piu kafen e mëngjesit dhe tha:
“E mbyllëm Venezuelën. Tani të shpëtojmë Shqipërinë nga Edi Rama për t’ia kthyer Sali Berishës.”

Edhe pse Trump-i e ka thënë qartë: korrupsionin pastrojeni vetë, trushkulurit thonë jo, ne s’kemi korrupsion, por kemi “Ramaduro”. Dhe duke i shtuar Ramës një “Duro” mbrapa, mendojnë se e bindin Trump-in që Nicolás Maduro në fakt quhet Edi Ramaduro.

O trushkulur, Amerika nuk shpenzon dollarë që ju të pastroni shtëpinë tuaj nga hajdutët, sidomos kur hajduti juaj i preferuar është non-grata në SHBA. Ironia juaj përveçse e sëmurë është kriminale: një opozitë që nuk fiton dot zgjedhje, nuk prodhon dot ide, nuk frymëzon dot askënd, pret që një avion amerikan t’i zgjidhë impotencën e saj politike.

Këta njerëz nuk duan demokraci. Por duhet pranuar e vërteta: ata duan mrekulli. Dhe mrekullia e tyre quhet: “ Rama në pranga, Berisha në zyrë, populli duartroket.” Një fantazi kolektive që do të ishte qesharake, po të mos ishte tragjike. Trushkulur , uluni, thirrini mendjes dhe mos na bëni njerëz me bisht. Është turp kombëtar të mendosh se Shqipëria qeveriset nga Ëashingtoni sipas tekeve të një opozite të konsumuar.

E megjithatë, në këtë cirk të trishtuar, ka një paralajmërim serioz: kur opozita degradon në këtë nivel deliri, nuk është fitore për qeverinë. Është simptomë e kalbëzimit të gjithë sistemit. Zot na ruaj nga leshkot dhe trushkulurit. Sepse budallenjtë e zakonshëm nuk shkojnë kaq larg. Këta kanë kaluar kufirin dhe kanë hapur linjë direkte imagjinare: Karakas–Rinas, një drejtim, pa kthim.