Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në një intervistë televizive foli lidhur me Reformën “e ngrirë” Zgjedhore.
Bylykbashi ka treguar lidhur me atë që opozita e quan “Libri i Zi i zgjedhjeve”, një dokument që sipas tij pasqyron shkelje të rënda të procesit zgjedhor dhe funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
“Ditët e fundit të dhjetorit paraqitëm dhe atë që e kemi quajtur rëndom “Libri i Zi i zgjedhjeve”. Për farsën zgjedhore, por me të drejtë kryetari i PD e quajti “enciklopedia e krimit shtetëror”. – u shpreh ai.
“Në Shqipëri, Edi Rama e ka çuar në një gradë tjetër, në një nivel tjetër. Nuk është vetëm ndarja midis shtetit dhe partisë në pushtet që të garantohet ndershmëria e zgjedhjeve. Fusha e barabartë e lojës. ODIHR flet edhe për frikësimin e zgjedhësve. Pra ne kemi krim të organizuar, i cili është organizuar në mënyrë metodike se si duhet përfshirë në zgjedhje. Është prishur jo vetëm ndarja e partisë dhe shtetit por dhe partisë, shtetit dhe krimit të organizuar. Në një organizim maskimal për të garantuar që njerëzit ose tu blihet vota ose të lihen në shtëpi për të mos votuar. Pra, ata që janë eventualisht votuesit e opozitës. Këtij mekanizmi nuk i reziston dot ligji, sado ligj i mirë mund të jetë. Aq më shumë kur kryeministri shprehet që ligji është “kinezeri”, Kodi Zgjedhor është “kinezeri”. Nuk na pengon ne.” – tha Bylykbashi.