Pas gati një dekade shkëputjeje, kryeministri Edi Rama është takuar mbrëmjen e kaluar me Koço Kokëdhimën, një nga figurat më të afërta të tij në vitet para ardhjes në pushtet.
Sipas raportimeve në media Rama dhe Kokëdhima kanë darkuar së bashku në një restorant pranë Arenës Kombëtare, në një takim të cilësuar si miqësor. Nuk ka informacion zyrtar mbi qëllimin e takimit apo temat e diskutuara, por prania e tyre së bashku ka tërhequr vëmendje për shkak të historisë së gjatë dhe të ndërlikuar mes dy figurave.
Marrëdhënia Rama–Kokëdhima ka qenë dikur mjaft e ngushtë. Kryeministri e ka konsideruar publikisht Kokëdhimën si mentor politik dhe strategjik, ndërsa në prag të zgjedhjeve të vitit 2013 ata ishin ndër figurat kyçe të fushatës së Partisë Socialiste.
Pas ardhjes në pushtet, raportet mes tyre nisën të ftohen për shkak të përplasjeve për partinë. Konfliktet u bënë publike dhe kulmuan me largimin e tij nga PS, duke shënuar një ndarje të plotë politike dhe personale. Në maj 2016, Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin e deputetit Koço Kokëdhima, me argumentin se kishte përfituar fonde publike gjatë funksionit si deputet, në kundërshtim me Kushtetutën.
Krisja me Edi Ramën erdhi pas përplasjes së Kokëdhimës me deputetë të PS, sidomos me linjën e Gramoz Ruçit. Kokëdhima, i njohur si beu apo pashai i jugut, prezantoi edhe një nismë për reformimin e PS-së, e cila u konsiderua si provokim nga Edi Rama dhe Gramoz Ruçi. Për disa muaj, Rama shkriu strukturat paralele të Koços në PS, sidomos në jug të vendit.
Pas largimit nga PD në 2017, Kokëdhima nisi një lëvizje politike, por që rezultoi e dështuar. Megjithatë, pas ‘divorcit’ politik dramatik, Kokëdhima ka marrë edhe rreth 4 milionë euro para publike përmes kompanisë Abissnet.
Takimi i mbrëmshëm vjen në një moment të ndjeshëm për kryeministrin, pasi SPAK ka kërkuar autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Belinda Ballukut, ndërsa Rama ka deklaruar publikisht se grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk do ta aporovojë kërkesën.