Po vendoste reklamë në tarracën e një mobilierie në Koplik, i riu humb jetën pasi bie në kontakt me rrymën elektrike! Nis hetimi për 40-vjeçarin

Kronike

Publikuar: 27/12/2025

Po vendoste reklamë në tarracën e një mobilierie në Koplik, i riu humb jetën pasi bie në kontakt me rrymën elektrike! Nis hetimi për 40-vjeçarin

Një 27-vjeçar ka humbur jetën në Koplik ndërsa po punonte për të vendosur reklamën në tarracën e një mobilierie. Mësohet se i riu ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka humbur jetën.

Policia ka nisur hetimet për një 40-vjeçar, i cili akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. B., 40 vjeç, banues në Koplik, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi ditën e djeshme shtetasi E. K., 27 vjeç, dyshohet se duke punuar në një subjekt mobilierie për të vendosur një reklamë në tarracën e subjektit, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe si pasojë, ka humbur jetën”, njoftoi Policia.