Ish-ministrja Klajda Gjosha ka ndarë një rrëfim personal në studion e QUO VADIS në Vizion Plus.
Gjosha u shpreh se shpreson shumë që fëmijët e saj t’i bëjnë një ditë atë telefonatë të mëngjesit, ashtu siç ajo ia bën nënës së saj çdo ditë.
Ndërsa Bogdo, me nota humori, aludoi se ata mund ta “qortojnë” për zgjedhjet e karrierës, Gjosha theksoi se, pavarësisht se kur do të ishte bërë ministre, nuk do t’u kishte ofruar fëmijëve luksin apo pasuritë materiale.
Ajo tregoi se gjatë gjithë periudhës si ministre ka qenë shtatzënë dhe më pas ka marrë djalin e saj, Luisin, kudo me vete, në takime dhe udhëtime pune.
Gjosha: Unë do të uroj dhe do të shpresoj shumë që të dy ata nesër të ma bëjnë mua atë telefonatën e mëngjesit, ashtu siç ia bëj unë mamasë sime çdo mëngjes. Do të shpresoja shumë.
Bogdo: Kam përshtypjen që s’do t’a bëjnë. Do ta shpjegoj dhe pse. Do thonë: Si u bëre ministre që pa lindur ne. Kur na duheshin anije dhe makina të shtrenjta, ti rri kot. Si arrite t’a keqmenaxhosh kaq keq karrierën si ministre? Ne na duheshin miliona.
Gjosha: Kurdo që të isha bërë ministre, nuk do t’ua kisha dhënë dot ato gjëra. Uroj shumë që të paktën Luisi t’u rikthehet videove të mia dhe të më shohë me atë barkun shtatzënë që e merrja me vete. Edhe kur Luisi lindi, unë isha ministre dhe e kam marrë kudo me vete si çantë shpine.
Kam shumë foto duke hipur në avion dhe nëpër takime ku e kisha me vete, sepse isha e detyruar ta merrja. Është shumë bukur që ka ndodhur kështu dhe jam krenare që e kam bërë kështu.