Rama: Gjykatës e prokurorë janë bërë bashkë për të shqyer arkën e shtetit, për imunitetin e Ballukut do vendosim pas vendimit të Kushtetueses

Kryesore

Publikuar: 21/12/2025

Rama: Gjykatës e prokurorë janë bërë bashkë për të shqyer arkën e shtetit, për imunitetin e Ballukut do vendosim pas vendimit të Kushtetueses

Kryeministri Edi Rama ka ngritur sërish shqetësime mbi funksionimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri, gjatë podkastit të tij “Flasim” këtë të diel. Ai u ndal te ajo që e cilësoi si “shenja shqetësuese të brutalitetit gjyqësor”, duke përmendur praktika që sipas tij dëmtojnë besimin te drejtësia dhe rëndojnë buxhetin e shtetit.

Rama foli për tentativa të përbashkëta të gjyqtarëve dhe prokurorëve për rritje pagash, si edhe për përdorimin e paraburgimit, i cili sipas raporteve e rendit Shqipërinë në pozicione negative krahasuar me vendet e tjera.

Kemi nisur analiza shqetësuese të shenjave shqetësuese të brutalitetit gjyqësor. Tentativa e magjistratëve gjykatës e prokurorë bashkë për të rritur pagat duke shqyer arkën e shtetit. Vetë ali dhe vetë kadi. Kam lexuar edhe një raport mbi përdorimin brutal të paraburgimit në Shqipëria që e ka vendosur Shqipërinë në vendin më të fundit”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në podkastin e së dielës se PS nuk ka ndërmend të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut para vendimit të Gjykatës Kushtetuese për masën e pezullimit. Kushtetuesja do ta shqyrtojë çështjen më 22 janar.

Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave”të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtetë për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, tha Rama.