Po përpiqeshin të kalonin në Iran, tre afganë humbin jetën nga i ftohti

Botë

Publikuar: 21/12/2025

Po përpiqeshin të kalonin në Iran, tre afganë humbin jetën nga i ftohti

Tre migrantë afganë kanë humbur jetën nga i ftohti teksa po përpiqeshin të kalonin kufirin nga Afganistani drejt Iranit. Ngjarja ka ndodhur këtë javë në një zonë malore të distriktit Kosar, në provincën perëndimore Herat.

Sipas një oficeri të ushtrisë afgane, migrantët ishin pjesë e një grupi që tentoi kalimin e kufirit të mërkurën. Kur grupi u ndalua nga rojet kufitare, anëtarët e tij deklaruan se tre shoqërues kishin vdekur nga temperaturat shumë të ulëta. Trupat u gjetën një ditë më pas, pas kërkimeve në zonë. Në të njëjtin rajon u gjet i pajetë edhe një bari, i cili dyshohet se ka ndërruar jetë për të njëjtën arsye.

Sipas të dhënave të Agjencia e OKB-së për Refugjatët, më shumë se 1.8 milion afganë janë kthyer në vendin e tyre nga Irani mes janarit dhe nëntorit, shumica në mënyrë të detyruar. Situatë e ngjashme raportohet edhe në Pakistan, ku që nga fillimi i vitit 2025 janë dëbuar mbi 850 mijë migrantë afganë.

UNHCR paralajmëron se këto kthime masive po rëndojnë më tej situatën humanitare në Afganistan, një vend që përballet me varfëri ekstreme, pasiguri ushqimore dhe pasoja të rënda nga ndryshimet klimatike. Sipas Programit Botëror të Ushqimit, mbi 17 milionë banorë ndodhen aktualisht në gjendje pasigurie akute ushqimore.

Ndërkohë, organizata Amnesty International u ka bërë thirrje shteteve të ndalojnë riatdhesimet e detyruara të afganëve, duke theksuar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krizën e thellë humanitare në vend.