PD futet në grevë urie? Deputeti demokrat: Do të përdoren të gjitha skenarët

Politikë

Publikuar: 21/12/2025

PD futet në grevë urie? Deputeti demokrat: Do të përdoren të gjitha skenarët

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, është shprehur se në protestën e opozitës ditën e hënë, nuk përjashtohet asnjë nga skenarët.

Mziu tha në emisionin ‘Terminal’ me gazetaren Aurora Sulçe në A2 CNNv se nuk përjashtohet as skenari që deputetët e PD-së të futen në grevë urie, me qëllim kthimin e standardeve të demokracisë.

“Unë sapo vij nga terreni dhe ka një javë që po alternojnë të gjitha degët e Partisë Demokratike ose bashkitë e qarkut Dibër, por njëherazi kam punuar edhe në Tiranë.

Ka një angazhim maksimal jo vetëm në strukturat e PD-së, por edhe qytetarë të tjerë jashtë Partisë Demokratike që duan të marrin pjesë në këtë protestë, sepse vullneti i tyre është cënuar rëndë në zgjedhjet e 11 majit. Sepse raporti i ODIHR ishte raporti më i keq, më i keq edhe se ai i vitit 1991.

Do të përdoren të gjitha skenaret, duke filluar që nga protesta, deri te vazhdimi i protestave në mënyrë seriale, por nuk përjashtohet që unë dhe kolegët e mi deputetë të shkojmë deri në grevë urie, për ta kthyer standardin e demokracisë në Shqipëri, sepse është më i cënuar se asnjëherë tjetër”, tha mes të tjerash Mziu.