Tentativë arratisjeje në burgun e Shënkollit, 31-vjeçari kapet 500 metra larg perimetrit të institucionit

Aktualitet

Publikuar: 13/12/2025

Tentativë arratisjeje në burgun e Shënkollit, 31-vjeçari kapet 500 metra larg perimetrit të institucionit

Një tentativë për arratisje është regjistruar mesditën e djeshme në burgun e Shënkollit, ku i dënuari Adriano Berisha, 31 vjeç, ka tentuar të largohet gjatë një aktiviteti të jashtëm.

Ngjarja ka ndodhur teksa Berisha po merrte pjesë në një proces për sistemimin e mbeturinave, nën mbikëqyrjen e stafit të sigurisë së burgut. Pas rreth 500 metrash nga perimetri i institucionit, ai është ndaluar dhe është rikthyer menjëherë në qeli, pa shkaktuar incidente apo rrezik për stafin dhe zonën përreth.

Burgu i Shënkollit ka njoftuar se pas ngjarjes janë informuar prokuroria dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, ndërkohë që kanë nisur procedurat hetimore për të zbardhur rrethanat e incidentit. Institucioni ka deklaruar gjithashtu se po rishikon masat organizative dhe të sigurisë për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen.

Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve

Në datën 11 dhjetor 2025, pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale  IMP Lezhë, i cili funksionon si institucion i posaçëm mjekësor, u konstatua një tentativë për largim nga ambientet e institucionit e një personi ndaj të cilit është caktuar masë mjekësore “mjekim i detyruar në institucion mjekësor”, me vendim gjykate.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30, gjatë një aktiviteti ndihmës për sistemimin e mbeturinave në regjimin e jashtëm të institucionit, nën mbikëqyrjen e punonjësve të sigurisë. Gjatë këtij procesi, personi në fjalë ka kaluar telin e perimetrit të jashtëm, duke tentuar largimin nga territori i institucionit.

Menjëherë pas konstatimit, rreth orës 09:33, ai është kapur dhe neutralizuar në afërsi të institucionit nga punonjësit përgjegjës, pa pasur rezistencë apo kundërshtim nga ana e tij dhe pa asnjë incident apo rrezik për punonjësit apo komunitetin.

Theksojmë se IEVP Lezhë është institucion mjekësor i posaçëm, ku zbatohen masa sigurie të përshtatura për pacientë dhe jo për të dënuar apo të paraburgosur. Kjo kategori personash trajtohet në mënyrë të diferencuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet mjekësore e të të drejtave të njeriut.

Menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar strukturat kompetente, përfshirë prokurorinë e juridiksionit të përgjithshëm Lezhë, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB), për vijimin e procedurave ligjore dhe administrative përkatëse.

Institucioni vijon funksionimin normal, ndërsa masat organizative dhe të sigurisë po rishikohen në mënyrë parandaluese, në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të menaxhimit dhe sigurisë së pacientëve dhe stafit.