Skema “Alabbar”: Dritan Agolli i FSHZH, 6.6 milionë euro për sistemimin estetik të bregdetit ku po ndërton arabi i shumëpërfolur

Kryesore

Publikuar: 12/12/2025

Skema “Alabbar”: Dritan Agolli i FSHZH, 6.6 milionë euro për sistemimin estetik të bregdetit ku po ndërton arabi i shumëpërfolur

Përveç dhurimit të 810 mijë m² tokë buzë detit, dhënies së 67 për qind të biznesit të kullave dhe faljes së 200 milionë eurove taksa dhe tarifave lokale e qendrore, qeveria po financon edhe investime infrastrukturore bregdetare për projektin e kompanisë arabe të Mohamed Alabbar.

Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 9 dhjetor 2025, Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ka shpallur një tender të posaçëm për ndërhyrje në zonën qendrore bregdetare të Durrësit, pikërisht aty ku po ndërtohen kullat, hotelet dhe qendrat tregtare “Alabbar”.

Sipas njoftimit, tenderi i fazës së tretë, me vlerë 6.6 milionë euro, ka si objekt ndërhyrje ndërtimore për “rritjen e ofertës turistike” dhe “përmirësimin funksional dhe estetik të bregdetit të Bashkisë Durrës”. Ky është përshkrimi formal. Në realitet, investimi kryhet në zonën e projektit privat të kompanisë offshore “Alabbar”, ndërsa financimi bëhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të programit buxhetor “GOA” për periudhën 2025–2027.

Kjo ndërhyrje me taksat e shqiptarëve nuk është investim publik, por investim për interesat private të projektit të kullave të dubaitëve të afërt me kryeministrin Edi Rama dhe të përfaqësuar nga Mohamed Alabbar.

Në kontratën mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Eagle Hills Real Estate Development” është shkruar se kompania private, përveç ndërtimit të kullave, do të kryente me fondet e veta të gjitha investimet e modernizimit të zonës bregdetare dhe plazhit në hapësirën ku po ndërton kullat, hotelet dhe qendrat tregtare.

Por kontrata ka rezultuar mashtrim publik. Modernizimi i bregdetit në zonën e kullave “Alabbar” po financohet nga buxheti i shtetit me 6.6 milionë euro, ndërsa kompania arabe ka nisur shitjen e apartamenteve, zyrave, njësive tregtare dhe vendeve të parkimit për llogari të vet.

Tenderi do të zhvillohet më 22 dhjetor 2025. Punimet parashikohen të zgjasin 18 muaj. Ndërkohë drejtësia hesht, sikur nuk po përdoren fonde publike për të mbështetur një projekt privat. SPAK nuk ka finalizuar ende hetimin për kullat “Alabbar” në Durrës, megjithëse shkeljet dhe favorizimet janë të dokumentuara./Pamfleti