Biznesmeni Besnik Bami, fans i Sali Berishës, rezulton pjesë e listës së përfituesve të mëdhenj të fondeve publike, kryesisht përmes tenderave klientelistë dhe me flamur të kuq korrupsioni. Përmes kompanisë së ndërtimit Bami shpk, gjatë 10 viteve të fundit, Besnik Bami ka marrë i vetëm dhe në bashkëpunim mbi 70 milionë euro tendera publikë.


Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, në llogarinë e kompanisë së ndërtimit Bami shpk kanë kaluar mbi 36 milionë euro para publike, produkt i kontratave me institucionet e shtetit shqiptar.
Rreth 80 % të tenderave të përfituara nga Bami janë shënjuar me flamurin e kuq të alarmit për shkak të mungesës së konkurrencës dhe diferencës së papërfillshme mes fondit limit dhe ofertës fituese, situacione false dhe duke ngritur dyshime të forta për manipulime dhe paracaktim të fituesit me pazar në tavolinë, duke ndarë paratë publike sipas roleve.

Mashtrimi me zbatimin e kontratave, situacione false, kontrata fiktive dhe prokurim parash, është një tjetër fenomen masiv i konstatuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe nga hetimet e SPAK-ut. Paratë e përfituara nga buxheti i shtetit biznesmeni Bami i ka investuar në pasuri të paluajtshme, sidomos në kulla, për të cilat Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngritur alarmin në raportet zyrtare si forma kryesore e pastrimit të parave.