SPAK ka goditur grupet kriminale në Fushë-Krujë, të akuzuar për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal. Në total janë lëshuar 14 masa sigurie, 10 prej të cilave janë ekzekutuar. Tre prej këtyre janë aktualisht në burg, dhe masa e arrestit iu është komunikuar në qeli. Në kërkim mbeten 4.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, janë 5 drejtues dhe financues të grupit. Në pranga janë vënë Marvin Bushati, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Sokol Qaja, Zamir Aliaj dhe tre anëtarë të fisit Rraja, Gazmir, Përparim dhe Rexhep Rraja. Ky i fundit djali i ish deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.
Aktualisht në burg ndodhen Islam Sefa, Aldo Gjini dhe Jani Çavo, ku edhe iu është komunikuar masa tjetër e arrestit. Në kërkim janë Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku. Të gjithë akuzohen si pjesë e këtij grupi të trafikut të drogës që e ushtronte këtë aktivitet nga viti 2020. Grupi është “tradhtuar” nga bisedat në SkyEcc, ndërsa operacioni po drejtohet nga prokurori Adnan Xholi.
Grupi akuzohet për trafik droge në disa episode dhe në disa shtete. 5 prej tyre vepronin si drejtues dhe financues të grupit. Krahas masave të sigurisë, janë ushtruar kontrolle edhe në banesa me urdhër të GJKKO, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme parash, armë, automjete etj. Ndërkohë, sipas raportimeve, grupi trafikonte kokainë dhe marijuanë nga Mali i ZI, Turqia dhe drejt vendeve të BE-së.
Kush janë të arrestuarit dhe ata në kërkim
Rrexhep Rraja dhe kushëriri i tij, Përparim Rrajaishin në kërkim nga policia e Fushë Krujës për dhunën në guroren e këtij të fundit në Borizanë, ngjarje e ndodhur më 6 korrik 2023. Dhuna barbare ndodhi pasi dy kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja kishin denoncuar në polici se gurorja e Rrajave po u prishte shtëpitë në Borizanë. Anëtarët e fisit Rraja i bënë për spital pasi i dhunuan me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda.
Tre personat që janë në burg për të njëjtin aktivitet kriminal. Islam Sefa u arrestua në korrik të vitit 2024 në një lokal afër SPAK për trafik droge. Ai akuzohet si drejtues dhe financues i një grupi që trafikoi drogë në vlerë 3.3 milionë euro drejt Gjermanisë. Më 18 dhjetor të këtij viti, GJKKO e dënoi me 11.4 vite burg për trafik droge në 9 episode. Vëllai i tij, Bujar Sefa, në kërkim për këtë operacion, u dënua me 10 vite burg më 1 korrik të vitit 2024 për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Jani Çavo, të cilit masa iu komunikua në burg, u arrestua në qershor 2023 si pjesë e një grupi që trafikonte kanabis nga Siria dhe heroinë që vinte nga Turqia, me vlerë deri në 2.7 milionë euro. Në dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO e dënoi grupin e tij në total mëe 107 vite burg, ndërsa Çavo u dënua me 8.8 vite burg.
Aldo Gjini po ashtu është arrestuar më herët. Në korrik 2021, u përfshi në një plagosje në Tiranë. Gjini rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga EUROPOL për akuzat tentativë vrasje, trafikim armësh dhe municionesh luftarake. Dyshohet edhe si autor i një plagosjeje në 2020 në Luksemburg. Në vitin 2016, u arrestua në Itali për shpërndarje droge.
TË ARRESTUARIT:
Marvin Bushati
Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani
Sokol Qaja
Gazmir Rraja
Përparim Rraja
Rexhep Rraja
Zamir Aliaj
Në burg ndodhen:
Islam Sefa
Aldo Gjini
Jani Çavo
NË KËRKIM:
Ervis Shuli
Bujar Sefa
Hajdar Sefa
Vildan Baroku
/Shqiptarja.com