Deputeti i PD Oerd Bylykbashi shkruan se nuk mundi të ishte me studentët më 8 Dhjetor 1990 në atë shesh ku shkruhej historia. Por deputeti i PD ndihet i plotësuar pasi thekson se e ka shkruar historinë duke marrë pjesë në rrëzimin e Lulzim Bashës, ish kreut të partisë së tij, në 8 Dhjetor 2021, kur Berisha rrethoi SHQUP-in. Me këtë qëndrim, Bylykbashi krahason diktaturën e Enver Hoxhës me Lulzim Bashën, të cilin Berisha e vendosi në krye të PD në korrik 2013 dhe e rrëzoi 9 vite më vonë pasi Basha e përjashtoi formalisht Berishën nga partia pas shpalljes non grata nga SHBA.
Postimi i plotë i Bylykbashit
Unë nuk munda të isha me studentët më 8 dhjetor 1990 në atë shesh ku shkruhej historia. Isha vetëm 16 vjeç, në Durrës.
Unë nuk mund të isha tek studentët por isha këtu te kjo foto.
Kjo foto është e shkurtit 1991, kur nxënësit e gjimnazeve te Durrësit u mblodhën tek oborri i “Naim Frashërit”, gjimnazit tonë. U solidarizuam me studentët që ishin në grevë urie. Statujat e diktatorit nuk kishin rënë ende. Ky ishte 8 dhjetori ynë.
Ne këtë foto nxënësit po dëgjonin Sokol Olldashin. Krejt papritur, kishte lindur një yll lidershipi mes nesh. Une jam aty në atë foto mes tyre. Është nga kujtimet më të forta të jetës sime.
Nuk dinim ku do të dilte e gjithe ajo lëvizje. “E duam Shqiperinë si gjithë Europa” – thonin studentët. Ne perserisnim sloganin e tyre të bindur që ata kishin të drejtë.
Pengun e 8 dhjetorit 1990 mu duk sikur e shleva më 9 shtator 2021 kur kundërshtova Bashën bashkë me pesë kolegë; Albana Vokshin, Luçiano Boçin, Flamur Nokën, Bujar Leskajn dhe Tritan Shehun. Thyem heshtjen.
Më 8 dhjetor 2021 ndjenim të njejtën energji si më 8 dhjetor 1990. Bashkë me Ivi Kason dhe Arben Ristanin po i jepnim dorën e fundit Statutit të 11 dhjetorit 2021.
Kolegjialiteti si themeli i demokracisë brenda PD. Kjo ishte motoja e atij Statuti.
Më 11 dhjetor 2021, kur prezantoja statutin para 10 mijë vetëve në stadiumin e Demokracisë, gulshet e lotëve me zor më linin të flisja. Me dukej sikur isha në sheshin e studentëve më 8 dhjetor 1990.
Sot vazhdoj të ndjek atë ideal. Gëzuar 8 dhjetorin!