Skadon afati kushtetues: Presidenti Begaj e kalon në heshtje ligjin për “barazinë gjinore”

Politikë

Publikuar: 06/12/2025

Skadon afati kushtetues: Presidenti Begaj e kalon në heshtje ligjin për “barazinë gjinore”

Ligji i debatueshëm “Për barazinë gjinore” ka hyrë zyrtarisht në fuqi, pasi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nuk e dekretoi brenda afatit kushtetues. Dokumenti, i miratuar në Kuvend më 6 nëntor me 77 vota pro dhe 36 kundër, kaloi automatikisht pas skadimit të afatit, duke u konsideruar i miratuar “në heshtje”.

Miratimi i ligjit u shoqërua me polemika të forta. Deputetë të opozitës i kërkuan presidentit të mos i vinte firmën, duke paralajmëruar se disa dispozita cenojnë Kushtetutën dhe liritë themelore, përfshirë fenë, arsimin dhe median. Kritikave iu bashkuan edhe komunitete fetare dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat e cilësuan ligjin si të papërshtatshëm për strukturën familjare dhe traditat shqiptare.

Nga ana tjetër, institucionet dhe grupet që e mbështesin ligjin theksuan se ndryshimet janë të domosdoshme për të përditësuar legjislacionin vendas sipas standardeve ndërkombëtare dhe për të garantuar barazi më të plotë gjinore në punësim, arsim, përfaqësim politik dhe të drejta sociale.