Ilir Meta jep “direktiva” nga burgu: Opozita të bashkohet për Reformën Zgjedhore, është vendimtare

Politikë

Publikuar: 05/12/2025

Ilir Meta jep “direktiva” nga burgu: Opozita të bashkohet për Reformën Zgjedhore, është vendimtare

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia dhe shkruan se Reforma Zgjedhore është çështja vendimtare që duhet të bashkojë çdo faktor opozitar sot, si një mënyrë për të lidhur drejtpërdrejt votuesin me deputetin.

Sipas tij, ky duhet të jetë objektivi madhor i opozitës, si e vetmja rrugë për rikthimin e parlamentarizmit dhe llogaridhënies.

“Po kështu, opozita duhet të paraqesë projektin e saj për Reformën Administrative – Territoriale në bazë të kritereve të pakundërshtueshme që garantojnë shërbimet më pranë qytetarëve dhe që frenojnë shpopullimin e mëtejshëm të vendit”, shkruan Ilir Meta.

Nga qelia ku ndodhet prej më shumë se një viti, kryetari i Partisë së Lirisë thekson se Opozita ka modele të suksesshme në Europë, si ai hungarez, se si mbështetet popullimi i vendit, se si mbështeten familjet e reja.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

Partia e Lirisë beson se çështja vendimtare që duhet të bashkojë çdo faktor opozitar sot është qëndrimi i përbashkët për Reformën Zgjedhore. Objektivi madhor i gjithë opozitës është një Reformë që e lidh drejtpërdrejt qytetarin (votuesin) me deputetin. Kjo është e vetmja rrugë për rikthimin e parlamentarizmit dhe llogaridhënies.

Po kështu, opozita duhet të paraqesë projektin e saj për Reformën Administrative – Territoriale në bazë të kritereve të pakundërshtueshme që garantojnë shërbimet më pranë qytetarëve dhe që frenojnë shpopullimin e mëtejshëm të vendit.

Përfaqësuesit e PS e bënë të qartë se nuk mund të bëjnë një Reformë që synon popullimin e zonave të braktisura, sepse shpopullimi ka qenë dhe mbetet një nga objektivat e tyre kryesorë. Opozita ka modele të suksesshme në Europë, si ai hungarez, se si mbështetet popullimi i vendit, se si mbështeten familjet e reja.