Pazari / Afera e madhe te Pallati i Kongreseve, oligarkët përlajnë 27 mijë e 500 m2 për kulla

Krim & Korrupsion

Publikuar: 04/12/2025

Pazari / Afera e madhe te Pallati i Kongreseve, oligarkët përlajnë 27 mijë e 500 m2 për kulla

Korporata e Investimeve mbulon procedurën, ndërsa kryeministri drejton garën e 26 janarit që i dorëzon investitorit 55 për qind të ndërtimit mbi tokë publike

Edi Rama ka nisur procedurën për ndërtimin e kullave në lulishten e Pallatit të Kongreseve, duke i kaluar privatit 4.760 m² truall publik dhe 55 për qind të sipërfaqes së ndërtimit në projektin 50 mijë metra katrorë. Ndërkohë shteti përfiton vetëm 45 për qind, ndërsa privati merr edhe kompensim financiar për rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve. Projekti është një kopje e aferave të mëparshme të kullave të Tiranës dhe qyteteve të tjera, me peshën kryesore që bie mbi qytetarët dhe përfitimet që shkojnë te klientët privatë të pushtetit.

Në prill 2025, kryeministri Edi Rama publikoi idenë për të ndërtuar kulla me PPP në zonën e Pallatit të Kongreseve. Para një jave ai e bëri fakt të kryer dhe nisi procedurën për ta realizuar me shpejtësi.

Me Njoftim nr. 560/4, datë 27 nëntor, drejtoresha e Korporatës së Investimeve, Elira Kokona, ka shpallur garën për projektin me objekt “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes private i objektit multifunksional pranë Pallatit të Kongreseve në Tiranë”.

Afera e madhe te Pallati i Kongreseve: Kullat përlajnë 27 mijë e

Lulishtja që do të shndërrohet në kulla

Për të zbatuar këtë projekt privat–publik, Korporata e Investimeve i është përmbajtur Vendimit Nr. 503, datë 10 shtator 2025 të qeverisë, me të cilin ka marrë në pronësi sipërfaqen 4.760 m² truall publik, lulishte rreth Pallatit të Kongreseve, që më parë ishte në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Tani, mbi këtë lulishte do të ndërtohen kulla me banesa, njësi tregtare, zyra, ambiente argëtimi dhe parkingje nëntokësore, nga kompania private që do të përzgjedhë Edi Rama, nën maskën e kompensimit të investimit për rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve.

Projekti quhet “bashkëpunim me sipërmarrje të përbashkët”, por në thelb është një pazar ku privati përfiton truall shtetëror falas dhe siguron fitime nga ndërtimet, ndërsa shteti merr vetëm një pjesë të siperfaqes së re.

Sipas njoftimit të garës, nga sipërfaqja totale prej 50 mijë m² ndërtim, shteti përfiton 45 për qind, ose 22.500 m², ndërsa privati përfiton 55 për qind, ose 27.500 m².

Kryeministri bën pazaret, Elira Kokona firmos letrat

Përzgjedhja e firmës fituese për ndërtimin e kullave rreth Pallatit të Kongreseve do të bëhet në datën 26 janar 2026, në një konkurs që do ta drejtojë kryeministri Edi Rama si kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit. Ndërkohë Elira Kokona e Korporatës së Investimeve do të firmosë dokumentet formalisht.

Krijohet përshtypja sikur shteti përfiton nga privati, por në fakt është privati që përfiton truallin falas dhe rimëbursim të vlerës 40 për qind të investimit që do të kryejë në Pallatin e Kongreseve. Preventivi i këtij investimi nuk është bërë publik, duke ngritur dyshime për abuzim me fondet publike.

E njëjta skemë dhe e njëjta aferë me kullat e tjera në Tiranë e Shqipëri

Projekti i kullave pranë Pallatit të Kongreseve është kopje e të gjitha aferave të mëparshme të kullave që Edi Rama ka miratuar në Tiranë dhe qytete të tjera. E njëjta skemë është aplikuar te Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, stadiumi “Selman Stërmasi”, Shtëpia e Fëmijëve “Zyber Hallulli”, Agjencia Telegrafike Shqiptare, si edhe te projektet me kulla rreth stadiumeve në Durrës, Vlorë dhe Korçë./Pamfleti