Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kërkon akoma për numërues që mund të kenë vjedhur vota më 11 maj, në mënyrë që t’i dorëzojë ata përpara drejtësisë. Për këtë, do të hapen 10% e kutive, si të votave brenda vendit, si të diasporës, për t’u kontrolluar, rinumëruar e për të parë nëse ka mospërputhje. Verifikimit nuk do t’i shpëtojë asnjë bashki e vendit dhe kutitë që do të hapen u zgjodhën përmes shortit.
Nuk do të rihapen kuti në qarqet Tiranë, Fier dhe Durrës, ku rinumërim u bë nga KAS menjëherë pas zgjedhjeve me kërkesë të opozitës.
Nga ky proces i verës, u zbulua se kryesisht në Fier, kishte abuzime serioze me votën, por Komisioni i Ankesave nuk dërgoi asnjë në prokurori, duke lënë komisionerin Ilirjan Celibashi ta bëjë këtë proces, pikërisht tani, në këtë fazë.
“Më 3 dhjetor hapet 210 kuti votimi. Në procesin e verifikimit pas zgjedhor nuk përfshihen kutitë e votimit të cilat janë rinumëruar përgjatë procesit të shqyrtimit të ankimimeve (2124 QV Brenda vendit dhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit), si dhe ato ato që janë në proces hetimi penal për të cilat ka vendim sekuestrimi apo në pritje të tij”, u shpreh drejtoresha e votimit nga jashtë në KQZ, Jona Josifi, përcjell TCH.