Gjykata e Posaçme pezullon nga detyra Belinda Ballukun, i ndalon edhe daljen jashtë shtetit, masë sigurie për drejtorin e KESH dhe ARRSH

Aktualitet

Publikuar: 20/11/2025

Gjykata e Posaçme pezullon nga detyra Belinda Ballukun, i ndalon edhe daljen jashtë shtetit, masë sigurie për drejtorin e KESH dhe ARRSH

Gjykata e Posaçme ka marrë dy masa sigurie për zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila është e pandehur nga SPAK për Tunelin e Llogarasë. Bëhet me dije se gjykata ka vendosur ndaj saj pezullim të ushtrimit të detyrës dhe funksionit si zv. Kryeministre dhe ministres, dhe ndalim i daljes jashtë vendit.

Vendimi mësohet se është marrë dy ditë më parë nga gjyqtari Erion Çela me kërkesë të prokurorit të çështjes Dritan Prençi. Ndërkaq, për dy zyrtarë të ministrisë është vendosur masa arrest shtëpie, drejtori i KESH Erald Elezi dhe drejtori i ARRSH Gentin Gjyli.

Zv.kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tendera publike. Hetimi lidhet me procedurën e tenderit për Ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH.

Hetimi ka nisur pas një kontrolli në banesën e ish-Drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në shkurt 2024, ku u sekuestruan telefona, pajisje kompjuterike dhe dokumente. Ekspertimi i këtyre pajisjeve ka mundësuar rikuperimin e komunikimeve të Berberit dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko, të cilat sollën më pas krijimin e një dosjeje që lidhet edhe me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe përfshirjen e Ballukut në hetime.