Drejtorë dhe ish deputetë me dosje në SPAK, ish ministra, ministra dhe njerëz të krimit posedojnë vila me vlerë miliona euro nga Jugu në Tiranë, kryesisht produkt i afera korruptive me pasuritë dhe paratë publike, por edhe rrjedhojë e evazionit fiskal, mashtrimit me pasoja të rënda, trafiqeve dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme. Për të evituar veprimin e organeve ligjzbatuese, kryesisht SPAK-un, pasuritë e paluajtshme me leje, pa leje apo me shtesa pa leje, i kanë në emrin e biznesmenëve kontroversë, oligarkëve, përfituesve të mëdhenj të lejeve të ndërtimit, koncensioneve dhe tenderave, por edhe në emrin e të afërmve.
Prapaskena ka ekspozuar më herët me evidenca disa ish ministra, të cilët posedojnë vila nga Gjiri i Lalzit në Palasë në emrin e disa biznesmenëve ndërtues. Ndërkaq, biznesmeni Shefki Karamuça, i skeduar për ndërtime pa leje, dyshohet se mbulon pasuri të paluajtshme (vila) të disa politikanëve. Pas ndërtimit të komplekseve me dhe pa leje në Mullet, Karamuço ka nisur të shtrihet deri në Jug, duke u kthyer në beun e ndërtimit dhe pronave me origjinë të dyshimtë në vend.
Ndryshe nga ndërtuesit e tjerë që zaptojnë prona dhe ndërtojnë jashtë lejes së dhënë nga autoritetet shtetërore, Karamuço ka qenë edhe kryetar i Bashkisë së Vlorës. Mbetet për t’u parë nëse e ka përdorur funksionin publik për përfitime personale, përvetësim pronash dhe ndërtim kompleksesh, por Karamuço është një nga ish funksionarët publikë që ka ndërtuar pa leje, duke i shpëtuar gjithnjë veprimit të ligjit.
Në rezidencën Secret Garden, në Mjull Bathore, Tiranë, ndërtuar nga Karamuço, aty ku ndodhen vilat miliona euro të ministrave, kryebashkiakëve, deputetëve, ish zyrtarëve dhe njerëzve të krimit, në emrin e tyre apo të njerëzve të besuar, disa nga vilat rezultojnë me shtesa pa leje, duke sfiduar Policinë dhe IKMT-në. Kopje si vilat e Secret Garden, Karamuço ka ndërtuar pa leje edhe 7 vila luksoze në zonën e Mulletit në Tiranë.
Skema kriminale
Në dhjetor të vitit 2024, gjykata e Tiranës vendosi konfiskimin e të paktën 7 vilave të reja dhe luksoze në zonën e Mulletit në Tiranë. Një hetim i nisur nga Prokuroria e kryeqytetit në vitin 2023, zbuloi se ato ishin ndërtuar pa leje. Porositësit e këtyre vilave kishin pajtuar arkitektët Armand Prelezi dhe Klevis Bregu për të bërë aplikimet për leje ndërtimi në institucionet përkatëse.
Ata kishin paraqitur dokumenta si të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe se po aplikonin për të rregulluar, rikonstruktuar dhe ndërtuar nga e para banesat e tyre, referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave të dala pas lëkundjeve të forta sizmike.
Hetimet e Prokurorisë së Tiranës zbuluan se porositësit Arblin Harizi, Manush Teqja, Abaz Tegja, Florian Zela, Dorina Dushku, Gani Moka, Tefta Vishi dhe Mehmet Durishti po ndërtonin vilat dy-katëshe në abuzim me koordinatat.
“Nga verifikimet e kryera nga ana e Prokurorisë i koordinatave nëpërmjet aplikacionit “Google Maps”, rezulton se të dhënat e pasqyruara ne relacione nga arkitekti Armand Prelezi apo Klevis Bregu, tregojnë vendodhje të ndryshme, karahasuar me vend-ndodhjen reale të objekteve të konstatuara nga vetëdeklarimet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), apo edhe pa vend-ndodhje, duke mos reklamuar koordinata”, thuhet në dosjen penale.
Në vijim të këtyre hetimeve, gjykata e Tiranës shpalli fajtor të gjithë porositësit në një vendim të 5 dhjetorit 2024, duke i dënuar të gjithë të pandehurit me burgim nga 6 muaj deri në 1 vit e gjysëm. Megjithatë, gjykata e konvertoi dënimin për të pandehurit në shërbim prove dhe asnjëri nuk përfundoi në qeli.
Hetimet zbuluan edhe një detaj interesant, se si arkitektët dhe porositësit kanë tentuar të fshehin ndërtimet e paligjshme.
Vilat luksoze janë ndërtuar ngjitur me murin rrethues të kompleksit rezidencial “Secret Garden”, të ndërtuar nga kompania “G & P” të biznesmenit Shefki Karamuça, i cili vite më parë ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Bashkisë së Vorës.

Arkitektët dhe porositësit, tashmë të dënuar, për të vijuar më tej kamuflimin e ndërtimeve të paligjshme, kanë projektuar dhe ndërtuar vila të njëjta në volum, kate dhe pamje, me ato të “Secret Garden”.
Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka veçuar dosje hetimore për verifikimin e rolit të inspektorëve bashkiakë dhe strukturave të tyre drejtuese në lejimin e kësaj paligjshmërie, duket se kanë përjashtuar nga dyshimet biznesmenin Shefki Karamuça, megjithëse detajet e siguruara nga vetë grupi hetimor ngrenë dyshime për një bashkëpunim të mundshëm të pronarit të “Secret Garden” me ndërtuesit e paligjshëm të shtatë vilave.
Pas fshihet Shefki Karamuça
Ndërtimi pa leje i 7 vilave në Mullet tashmë ka autorë zyrtarë, të konfirmuar nga gjykata, të cilët janë porositësit dhe dy arkitektët. Megjithatë, hetimet e vetë Prokurorisë, kanë zbuluar disa detaje, të cilat ngrenë dyshimin se ato ndërtime pa leje mund të jenë realizuar me ndihmën ose, më të paktën, me heshtjen e sipërmarrësit Shefki Karamuça.
Vilat pa leje janë saktësisht si godinat e kompleksit “Secret Garden”. Cilido që merret me ndërtimet, e ka të qartë se ndërtimi i dy godinave të ngjashme në çdo detaj nuk realizohet me “fotokopje”. Për këto raste kërkohet që secila nga godinat të ketë të njëjtin projekt strukturor dhe arkitektonik.

Në rastin konkret, projektet e vilave të paligjshme, si rregull, kanë qenë vetëm në dispozicion të shoqërisë “G & P” të Shefki Muçës. Pra, dyshimi i parë që krijohet është që “ndërtuesit e paligjshëm” kanë siguruar projektet e “Secret Garden” për të ndërtuar vilat e tyre pa leje e për t’i “kamufluar” për të mos u dalluar nga ndërtesat e tjera të rezidencës private.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera prej Policisë Gjyqësore, rezulton se vilat pa leje nuk kanë pasur akses të drejtëpërdrejtë në akse rrugore, nga të cilat do të furnizoheshin me materialet e ndërtimit. Nga kjo rrethanë, dyshimi i grupit hetimor ka qenë i fortë, se transporti i mallrave për vilat e paligjshme është kryer nga territori i “Secret Garden”. Natyrisht, nëse kalimi i mjeteve ndërtuese për vilat e paligjshme ka qenë mes për mes kompleksit rezidencial privat të Shefki Karamuçës, ai dhe shoqëria e tij ‘G & P” duhet të kenë qenë patjetër në dijeni.
E, nëse ndiqet kjo logjikë, pra që Karamuça dhe shoqëria e tij kanë krijuar lehtësirat dhe aksesin për ndërtimin e paligjshëm të shtatë vilave, biznesmeni, më së paku, duhet të ishte përgjegjës për “moskallëzim krimi”.
Megjithatë, përtej dyshimeve të krijuara nga vetë grupi hetimor, sipërmarrësi Shefki Karamuço nuk rezulton të jetë pjesë e subjekteve nën hetim. Duket se ai ka përfituar nga ‘toleranca” e Prokurorisë, më së paku për të verifikuar rolin e tij në këtë histori skandaloze.