Shpërthim me tritol në një biznes në Kamëz, pronarët: S’kemi konflikte

Kronike

Publikuar: 15/11/2025

Shpërthim me tritol në një biznes në Kamëz, pronarët: S’kemi konflikte

Një shpërthim me tritol është regjistruar gjatë natës në një biznes në Kamëz. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20, në bulevardin “Nënë Tereza”.

Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në biznes. Mësohet se biznesi është në pronësi të Benard Elezit dhe Klodian Muratit (kunetër).

Sasia që ka plasur ka qenë e vogël, pasi janë thyer disa xhama të fasadës. Nga kamerat e lokalit duket autori që afrohet dhe lë lëndën plasëse, i maskuar, dhe largohet me vrap në këmbë. 

Pronarët deklarojnë se nuk kanë konflikte me njeri dhe nuk kanë asnjë ide se pse është vendosur lënda plasëse, dhe do të jenë hetimet në vijim që do të zbardhin ngjarjen.

“Rreth orës 02:20, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz, në ambientet e jashtme të biznesit në pronësi të shtetasve B. E. dhe K. M., ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.”, njofton policia.