Analisti Ilir Yzeiri komentoi thirrjen e Sali Berishës në SPAK për krimin e 21 Janarit, ku u vranë katër protestues. Në një intervistë për “Live në Shqipëri”, Yzeiri thekson se provat janë të qarta, që kryeministria ka fshirë serverat ndaj nuk ka arsye që hetimet të zvarriten më shumë.
“Në vend që të ishte një ngjarje që do të tërhiqte vëmendje, por mendoj se është një gjë e turpshme sepse kësaj Prokurorie, që merr edhe arreston me letra anonime Veliajn njëriun më të votuar në Shqipëri, ka 14 vjet dhe tani doli frika për ta thirrur Sali Berishën. Sot e bën për shkak se Strasburgu e detyroi SPAK që të hapte hetimet.
Nuk kam asnjë shpresë që kjo ngjarje do të zbardhet nga kjo trupë e SPAK. Deri tani shikojeni gjyqin për Gërdecin, spektakël i neveritshëm. Çfarë bëhet me gjyqin e Gërdecit? Çfarë provash, pse media nuk ushqehet nga SPAK me provat që ka në dorë me Gërdecin siç bën fjala vjen me legjendat urbane të zonjës Balluku psh apo Veliajn që iu bëhet gjyqi popullor. Pse SPAK nguron të tregojë a ka prova të reja dhe t’ua japë në mënyrë ilegale siç ka bërë me të tjerët. Ke parë të qarkullojë në media. Sa ka që ka ndodhur Gërdeci?
A i ka marrë parasysh provat e reja? Ia dhanë se s’donte ta merrte, e detyroi Gjykata e Lartë. Nuk kam fare pritshmëri që SPAK mund ta zbardhë 21 janarin. Akuzat janë të qarta, kryeministria ka fshirë serverat, në çfarë vendi të botës ndodh që të qëllohet nga kryeministria drejt protestueve. Përpjekje e turpshme e SPAK për të na bindur ne që filloi të merret me çështjen më të rëndë që ka tranzicioni shqiptar.
Pas skemave piramidale, Gërdeci dhe 21 Janari janë ngjarjet më tragjike. Unë dua të di këtë gjë se pse u vranë 4 protestues, kush dha urdhër. Spektakël banal që bën SPAK, ajo ngjarje nuk do të hetohet siç duhet por e vërteta nuk ka për të dalë kurrë. Drejtësi për fat të keq në këtë vend, siç vinte re raporti i BE për SPAK, që thoshte deri tani nuk kemi parë çështje të përfunduara.”, tha Yzeiri.
Berisha do të duhet që të paraqitet në SPAK të premten në orën 10:00 para prokurorit të çështjes, Alfred Shehu. Ish-kryeministri pritet të merret në pyetje si person që ka dijeni për vrasjet e 4 protestuesve në bulevard me plumbat që dolën nga kryeministria.