Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kristaq Kume, ka komentuar procesin e zgjedhjeve të pjesshme lokale të zhvilluara dje në pesë bashki të vendit, Vlorë, Tepelenë, Berat, Cërrik dhe Mat, ku u vu re një pjesëmarrje shumë e ulët e qytetarëve në votim.
Kume u shpreh në studion e News24 se mosbesimi i qytetarëve ndaj politikës është bërë një faktor kyç në rënien e pjesëmarrjes në zgjedhje, për shkak të sjelljes së forcave kryesore politike.
“Nuk pritej ndonjë pjesëmarrje që të befasoheshim në këto zgjedhje. Nuk jam befasuar nga ky reagim i qytetarëve. Ishin zgjedhje jashtë radhe dhe u bënë vetëm për kryetarin e bashkisë, ndërsa dihet që një pjesë e mirë e elektoratit nxiten nga kandidatët për këshillin bashkiak.
Një arsye që duhet parë me vëmendje është demotivimi i zgjedhësve për shkak të asaj që bëjnë aktorët kryesorë politikë në vend, mazhoranca dhe opozita, që kanë përgjegjësi të mëdha. Sjellja e tyre gjatë viteve ka shkuar drejt asaj që e bën qytetarin mosbesues”, tha Kume.
Ai kritikoi gjithashtu partitë e reja opozitare, të cilat sipas tij “nuk kishin si objektiv krijimin e sinergjisë për një rezultat pozitiv, por shmangien e përgjegjësisë”.
“Ishte propozimi i tyre që të gjejnë një kandidat jo politik, por pasi u arrit kjo, si duket nuk kishin interes të arrinin rezultat, por të shmangnin mbajtjen e përgjegjësisë,” përfundoi Kume.