Një tjetër skandal ka përfshirë drejtësinë shqiptare. Policia arreston anëtarët e grupeve kriminale, prokuroria dhe gjykata i lirojnë nga burgu. Ish-ushtaraku 46-vjeçar, Altin Celami, u arrestua nga policia në tetor të vitit 2022, në kuadër të operacionit ‘Porositësi’, pasi u siguronte armë grupeve kriminale.
Në vitin 2025, Celami ishte i lirë dhe vijonte të njëjtin aktivitetin kriminal. Ish ushtaraku është arrestuar sërish nga policia për të njëjtën veprimtari kriminale: furnizimin e grupeve kriminale me armë zjarri.
Në njoftimin e policisë thuhet se Altin Celami përdorte taksinë e tij për të transportuar armët dhe municionin luftarak, që t’i shmangej ndalimit të policisë.
Gjatë kontrollit fizik, të taksisë dhe të banesës, iu gjetën 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme arme të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Në 4 tetor të vitit 2022, Celami u arrestua së bashku me 14 persona të tjerë, të cilët operonin si një grup kriminal që kryente vrasje me pagesë.
Në 2 raste, porositësi ishte Kasandër Noga, i arrestuar në Belgjikë por që planifikonte ekzekutimin e kundërshtarëve përmes vrasësve me pagesë.
Për këta të fundit, disa prej armëve siguroheshin nga ushtaraku Altin Celami.