KLSH është i vetmi institucion që ka mbetur pa u kapur nga mazhoranca. Rama përdori të gjitha mënyrat për të goditur si organ, por presionet nuk kanë ndalur as kryetarin dhe as audituesit të zbulojnë shkeljet në ministri, bashki e kudo tjetër.
Abuzimet në administratën publike duket se kanë kapur majat. Edhe pse shumë funksionarë janë nën hetim nga SPAK, në ministri, bashki apo organe të tjera ka pa fund abuzime me tenderët.
I vetmi organ i cili ka kurajon të flasë drejt për abuzimin që bëhet në rangjet më të larta të kësaj qeverie është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sot kreu i KLSH, Arben Shehu ka raportuar në Kuvend për punën gjatë vitit që lamë pas.
Për hir të së vërtetës, KLSH është i vetmi institucion që ka mbetur pa u kapur nga mazhoranca. Rama përdori të gjitha mënyrat për të goditur si organ. Një vit më parë ishte Eduard Shalsi që nisi presionet ndaj kreut të KLSH dhe madje u hodh ideja për ta shkrirë. Po ashtu të gjithë i mbajnë mend skenat në Komisionin e Financave. Megjithatë Arben Shehu ka vijuar me korrektësi punën dhe sipas auditimeve që ka bërë KLSH gjatë viti që lamë pas, në buxhetin e shtetit ka pasur 16 miliardë lekë dëm ekonomik.
Arben Shehu tha sot në Kuvend se gjatë vitit 2024 janë kryer 159 auditime në të gjitha nivelet e qeverisjes. Këto auditime, theksoi ai, janë kryer në 205 subjekte, 97 prej të cilave njësi të qeverisjes qendrore, 75 të qeverisjes vendore ndërsa janë 13 institucione të pavarura.
Për këto auditime, janë dhënë 194 opinione, shoqëruar me 4378 rekomandime dhe masa organizative e administrative. Shehu theksoi gjithashtu se niveli i pranueshmërisë të këtyre rekomandimeve ka arritur në masën 90%, nga të cilat 70% janë pranuar plotësisht, pjesërisht ose në proces. Sipas tij, gjatë 2024, kanë bërë 13 kallëzime penale, që përfshijnë rastet kur auditimi ka konstatuar veprime apo mosveprime në shkelje të ligjit. Po ashtu, kanë vënë në dispozicion të Prokurorive edhe 35 materiale për hetime.
“Gjatë 2024, kemi kryer 159 auditime në gjithë nivelet e qeverisjes. Sipas llojit, 45 auditime janë financiare, 43 përputhshmërie, 35 të kombinuara, 15 performance, 8 të teknologjisë së informacionit, dhe 13 mbi zbatimin e rekomandimeve. Janë kryer në 205 subjekte, 97 njësi të qeverisjes qendrore, 75 të qeverisjes vendore, 13 institucione të pavarua dhe 20 ende publikë”, tha Shehu.
Duke u ndalur te prokurimet publike, ai theksoi se ka pasur shkelje në vlerësimin e projekteve, parregullsi në kontrata, kufizim të konkurrencës si dhe mungesë të kontrollit të brendshëm. Shehu konfirmoi se janë në proces auditimi edhe për Bankers Petroleum, rrugën Thumanë-Kashar dhe anijet energjetike në Vlorë. I pyetur se përse vazhdon pagesa për kontratat PPP të Check up Sterilizimit dhe dializës, ku vetë KLSH ka evidentuar pagesa të tepërta për raste që nuk janë kryer
Detaje nga raporti
Sipas raportit, në auditimet financiare dhe të kombinuara, janë konstatuar një sërë problematikash që prekin cilësinë e raportimit financiar dhe përputhjen me parimet dhe standardet e kontabilitetit. Një ndër fenomenet më të përhapura lidhet me keqklasifikimin e shpenzimeve dhe të ardhurave, çka çon në deformimin e pasqyrës financiare të institucioneve dhe cenon besueshmërinë e tyre.
Kështu, janë konstatuar raste të regjistrimit të shpenzimeve të investimeve si shpenzime operative, apo të ardhurave të realizuara që nuk janë njohur në pasqyra në kohën e duhur, si në disa institucione qendrore dhe vendore. Këto probleme burojnë nga mungesa e dokumentacionit mbështetës dhe dobësia e kontrolleve të brendshme.
Gjatë vitit 2024, KLSH ka kryer disa auditime të përputhshmërisë dhe të kombinuara, me qëllim vlerësimin e respektimit të legjislacionit dhe kuadrit rregullator në fuqi, nga institucionet publike.
Në tërësi, auditimet e përputhshmërisë kanë evidentuar një përhapje të gjerë të mosrespektimit të kuadrit ligjor dhe rregullator, në prokurime, raportimin fiskal, zbatimin e kontratave, etj. Këto problematika janë sistemike dhe të pranishme në disa nivele të qeverisjes.
Një nga fenomenet më të përhapura është mungesa e disiplinës buxhetore në të gjitha hallkat e ciklit financiar, duke përfshirë planifikimin, miratimin, ekzekutimin dhe raportimin. Në disa raste janë vërejtur rialokime të fondeve drejt projekteve që nuk kanë kaluar procesin e plotë të vlerësimit, e shoqëruar kjo edhe me përdorim joefikas të fondeve në dispozicion.
Janë konstatuar mangësi në planifikimin buxhetor bazuar në vonesat dhe pasaktësitë në përgatitjen e kërkesave buxhetore nga ministritë e linjës, duke dorëzuar dokumentacion jo të plotë dhe kërkesa shtesë përtej tavaneve të miratuara, për të cilat KLSH rekomandoi forcimin e disiplinës buxhetore dhe respektimin strikt të afateve, formateve dhe argumentimit të projekteve të reja gjatë hartimit të projektbuxhetit vjetor dhe atij afatmesëm (PBA).
Shkelje të përsëritura janë konstatuar në drejtim të respektimit të afateve ligjore të regjistrimit të urdhrave të prokurimit, të kontratave dhe të likuidimit të faturave në SIFQ. Ky fenomen është përhapur në mënyrë të gjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, por është i pranishëm edhe në institucionet qendrore dhe shoqëritë publike.
Në fushën e administrimit të kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) dhe koncesioneve, janë konstatuar shkelje të kritereve të financimit, mangësi në monitorim dhe në vlerësimin e efekteve buxhetore afatgjata. Në disa raste është vijuar me pagesa për shërbime që nuk janë kryer, ose që janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksioni. Fenomene të tilla janë vërejtur në kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, ku raportimi i shpenzimeve ka tejkaluar buxhetet e miratuara dhe detyrimet janë likuiduar në kundërshtim me përmbajtjen kontraktore, përfshirë edhe TVSH-në.
Auditimet e realizuara gjatë vitit 2024, konstatuan problematika në fushën e prokurimeve, të përhapura në institucione të administratës qendrore dhe vendore, universitete, spitale dhe ndërmarrje publike. Ato lidhen kryesisht me planifikimin joefektiv të prokurimeve, kufizimin e konkurrencës, parregullsitë në hartimin dhe zbatimin e kontratave, si dhe me mungesën e kontrollit të brendshëm. Në bashkitë e audituara, planet vjetore të prokurimit shpesh nuk ishin të harmonizuara me buxhetet apo nevojat reale. Në disa raste, kriteret e kualifikimit janë vendosur në mënyrë të tillë që kufizonin garën, ndërsa në të tjera mungonte dokumentacioni mbështetës për vlerësimin dhe përzgjedhjen e operatorëve. Gjithashtu janë konstatuar procedura me vetëm një operator konkurrues, dokumente të tenderit me kritere të pajustifikuara ose të njëanshme, si dhe përcaktim i paargumentuar i fondit limit. Në disa raste, është përdorur prokurimi për shërbime që mbuloheshin nga kontrata ekzistuese, duke çuar në dublim të kostove. Ndërkohë janë konstatuar vonesa në zbatimin e kontratave, mungesë aplikimi penalitetesh, pagesa për punime të pakryera apo të realizuara në mënyrë të pa plotë. Struktura e mbikëqyrjes teknike dhe e administrimit të kontratave shpesh mungon ose nuk funksionon siç duhet.
Gjithashtu u identifikuan problematika në administrimin e burimeve njerëzore në institucione të ndryshme publike. Një nga gjetjet më të përsëritura lidhej me largimet e padrejta nga puna dhe mungesën e dokumentacionit mbështetës për vendimmarrjet përkatëse. Janë evidentuar raste kur largimi nga puna është bërë në kundërshtim me Kodin e Punës dhe ligjet specifike të shërbimit civil, pa një proces të rregullt disiplinor apo pa dhënë mundësi për ankimim. Këto praktika kanë sjellë kosto shtesë në buxhetin e shtetit, për vendimet e gjyqfituesve. /Pamfleti