Qeveria shpall “paqe fiskale”: Falje borxhesh dhe lehtësira për bizneset e fermerët

Politikë

Publikuar: 05/11/2025

Qeveria shpall “paqe fiskale”: Falje borxhesh dhe lehtësira për bizneset e fermerët

Qeveria ka miratuar një paketë të gjerë fiskale që parashikon faljen e detyrimeve tatimore e doganore të 10 viteve të fundit, si dhe heqjen e kamatëvonesave për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Masa është pjesë e një nisme të re të quajtur “paqe fiskale”, që synon të rivendosë marrëdhëniet e bizneseve me administratën tatimore, duke shmangur kontrollet për subjektet që bëjnë marrëveshje me tatimet.

Nga falja përjashtohen principalet e detyrimeve për sigurimet, por përfshihen kamatat dhe një pjesë e borxheve të mbetura 2015–2019, me kusht që gjysma e shumës të paguhet deri në qershor 2026.

Paketa përfshin gjithashtu rikthimin e skemës së rimbursimit 10% për fermerët në TVSH dhe rivlerësimin e pronave me një normë të ulët tatimi prej 5%, në fuqi gjatë vitit 2026.
Me rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë, pritet një efekt pozitiv prej 9 miliardë lekësh në buxhet, ndërsa biznesi i vogël do të vijojë të gëzojë statusin pa taksa.

Një tjetër risi është zbritja tatimore për prindërit me fëmijë nën 18 vjeç, ku njëri prej tyre do të përfitojë 48 mijë lekë ulje nga tatimi mbi pagën gjatë vitit 2026.