Ky është Frederik Mata që fshihet pas Shoqe Mozës me tutorë çunat e Kompetentit të Piramidave, gjobëvënie, grup kriminal dhe një dosje penale

Investigim

Publikuar: 04/11/2025

Ky është Frederik Mata që fshihet pas Shoqe Mozës me tutorë çunat e Kompetentit të Piramidave, gjobëvënie, grup kriminal dhe një dosje penale

Një pijanec ordiner, ish roje në Kukës dhe i skeduar si hajdut, përdoret si pusetë dhe llum mediatik nga disa Kompetentë korrupsioni dhe pastrimi parash në Tiranë për të sharë dhe shantazhuar funksionarë publikë, gazetarë, politikanë etj., me një zhargon të kopjuar dhe banal.

Bëhet fjalë për Frederik Islam Mata, 39 vjeç, banues në Kukës, por që nëpër mejhane dhe rrjete sociale njihet me emra të tjerë si Tuke, Tao-Tao etj. Ky është Frederik Mata, një personazh me turbulenca mendore për shkak të alkoolit dhe drogës, i cili fshihet pas profilit në Facebook ‘Shoqe Moza’, duke sharë dhe fyer njerëz publikë dhe familjarët e tyre, një poshtërsi njerëzore që nuk ka lidhje as me gazetarinë, as me parime, as burrëri, as norma dhe as ligje.

(Frederik Mata që fshihet pas Shoqe Mozës)

‘Ustallarët’ e korrupsionit, pastrimit të parave, mashtrimit me pasoja të rënda dhe fshehjes së pasurive, i japin Frederik Matës me disa emra dikush ndonjë dyqindeurosh, dikush ndonjë ‘vizë’ dhe dikush ndonjë dopjo, për të fyer funksionarë publikë, me qëllim për t’i detyruar të lidhin kontrata korruptive, por edhe për gjobëvënie ndaj biznesmenëve si dhe për sulme duke u fshehur pas ferre ndaj gazetarëve, denoncimet e të cilëve janë kthyer në dosje penale nga SPAK-u.

(Profili në Facebook i Shoqe Mozës)

Sharjet dhe fyerje me faqe anonime, për të cilat policia duhet të kishte nisur një hetim penal, dyshohet se bëhen nën efektin alkoolit dhe drogës, pasi në shumë raste, fyerjet fshihen pas çlirimit nga efektet psikotrope dhe rikthimit në realitet, duke u bërë ndoshta i vetëdijshëm për pasojat dhe risku se një ditë do të ekspozohej me emër dhe fytyrë.

Fillimisht, roja pijanec markohej nga Ylli Manjani dhe bashkëshortja e tij Eva Çiço, të cilët e përdornin për mesazhe të koduara shantazhuese dhe interesa, të cilat nuk dihet nëse Tuke/Tao Tao i kuptonte apo jo. Ish ministri i Drejtësisë Manjani nisi të distancohej nga ky llum mediatik pas denoncimit nga Pamfleti, ku me sa duket nuhati se po merrte një kosto të madhe.

Prej disa muajsh Frederik bakshishin e kanë marrë në patronazh çunat e Kompetentit të Piramidave, Endri dhe Redon Meksi, përmes të cilit sulmojnë pas shpine ‘miq’, ortakë, ish ortakë dhe kolegë, me qëllim që këta të fundit t’u kërkojnë atyre si nder për të ndërhyrë tek Frederik mallisti, i cili në fakt është derivat i vetë çunave të Kompetentit. Vështirë të ndahet nëse kjo është reflektim i një mendje të sëmurë apo pabesie të kthyer në psikozë, por është një praktikë që ndiqet prej disa vitesh nga çunat e Kompetentit të Piramidave.

(Redon Meksi dhe Frederiku i Shoqe Mozës)

Endri Meksi, ortak me Amant Josifin, me lidhje me Tunelin e Llogarasë, përfitues i dy koncensioneve, kasave fiskale, koncensionit për mbikqyrjen e lojërave të fatit që do riktheje Edi Rama dhe i miliona eurove tenderave publikë me hije korrupsioni, sulmon përmes një trusti mediatik një rreth zyrtarësh publikë (drejtorë, kryebashkiakë dhe ministra) me qëllim për të hyrë në pazare me ta për tendera dhe koncensione me kartelin e kompanive që kontrollin.

Funksionarët publikë që sulmohen nga mediat e kontrolluara nga Meksi ekspozohen edhe tek faqja ordinere Shoqe Moza e Frederikut, duke u bërë kështu pjesë e vathës mediatike të Meksit.

(Vetëm përmes kompanisë MC Networking, me të cilën kontrollon koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit me derivat kompaninë Moligix, gjatë pesë vitet e fundit ka marrë nga buxheti i shtetit mbi 12 milionë euro).

(Redon Meksi dhe Frederik Mata)

Endri dhe Redon Meksi e përdorin Taon e Shoqe Mozës edhe si kronikan të jetës dhe veprimtarisë së tyre të përditshme, edhe pse ata pretendojnë se Shoqe Moza është e apasionuar vetë deri në bezdisje të ëmbël për të ekspozuar përditshmërinë e çunave të Kompetentit të Piramidave, duke gjetur çuditërisht edhe foto të hershme të tyre nëpër sundukë.

Pra, edhe kur Meksi shkon në tualet, Frederiku ‘i lutet’ t’i dërgojë foto të këtij momenti historik, për t’a publikuar si një vlerë të rrallë dhe interes të lartë publik në faqen ordinere Shoqe Moza.

Aktiviteti kriminal, si funksionon gjobëvënia dhe ndarja e plaçkës

Prapaskena po investigon transaksionet dhe veprimtarinë e rreth 20 kompanive të dyshimta që kontrollohen nga Endri Meksi ku përfshihen MC Networking, Moligix, JOHANITERI, Interweb.al, KONNECT shpk, epay.al, ngn shpk, MCN Shpk, MCN SERVICES Shpk, MEDIUM PR&ADS Sh.p.k, Tema TV, 2 M Ltd, CODELAND Sh.p.k, HDS Sh.p.k, 528Hz Sh.p.k, MGR Sh.p.k, NT TECHNOLOGIES POLAND AKCYJNA, M.POS-Limited, Albcan Albania etj.

Përmes këtij karteli kompanish ngrihen dyshime të forta se Endri Meksi është përfshirë në vepra të rënda penale si pastrim parash, korrupsion, mashtrim me pasoja të rënda etj., që të gjitha do të materializohen në një kallëzim penal, i cili do të dorëzohet në SPAK.

Institucione, funksionarë dhe biznesmenë që thyhen nga sulmet pas ferre dhe vatha mediatike e Meksit, lidhin kontrata me një nga kompanitë e kartelit. Frederikët që i përdor për faqe anonime i paguan përmes këtij karteli kompanish. Faktet tregojnë se kemi të bëjmë me një grup tejet kompleks sa i çmendur aq dhe kriminal. Vijon…